Lajme

Tragjikomedia “Fqinjët” nga Gjirokastra sonte në skenën e Preshevës

Më datë 04 Tetor 2019 ( e Premte ) në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”, në Preshevë teatri “Zihni Sako” nga Gjirokastra, vjen me tragjikomedinë “FQINJËT”.

Shfaqja fillon nga ora 19:30 dhe hyrja është falas.

“Fqinjët” vepra e shkruar nga Ruzhdi Pulaha është rikthyer në teatrin e Gjirokastrës “Zihni Sako” këtë fundjavë.

Me në qendër jetën e një familjeje të emigruar shqiptare në Greqi, tragjikomedia sjell aspekte mjaft reale të përditshmërisë së emigrantëve, transformimit nën presionin e mungesës së dokumenteve, realitete të reja dhe të vjetra.

Dashuria e Markos, djalit të familjes greke ku është punësuar familja e Borës, vajzës shqiptare që i ka rrëmbyer zemrën, është edhe kryefjala e ngjarjes ku zhvillohet konflikti.
Drama që përshkon të gjithë veprën përtej nuancave të humorit është ajo e brengës njerëzore prej ndarjes, mbështetja që njerëzit ofrojnë për njerëzit e fqinjët për fqinjët.

Vepra erdhi nën interpretimin e aktorëve Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri.

Tragjikomedia do të udhëtojë në disa skena kombëtare përgjatë vitit 2019 pasi rezultoi një prej pjesëve më të mira të vëna në skenë.

Regjisori Milto Kutali rikthehet në Gjirokastër pas 40 vjetësh ndërsa aktorja Mimoza Lluri u rikthye në teatër pas 27 vitesh.

Related Articles

Back to top button