Bruceloza e gjedheve (lopëve) është evidentuar në fshatin Dobrosin

Bruceloza e gjedheve është evidentuar në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit, fshat ky që gjendet në malsinë e Bujanocit.
Sipas informacioneve nga Stacioni Veterinar i Bujanocit, eutanazinë e krerëve të sëmurë të bagëtive e kanë kryer punonjësit e Institutit Specialistik Veterinar në Nish dhe Inspektimit Veterinar Republikan.
Trupave të kafshëve më pas u është bërë asgjësimi i sigurt dhe janë transportuar në kafileri në Qupri (Ćuprija), ndërsa dëmi do t’u kompencohet pronarëve.
Bruceloza është një sëmundje bakteriale ngjitëse, nga e cila përveç kafshëve shtëpiake dhe të egra mund të preken edhe njerëzit.
Për këtë arsye, ajo është një nga tri sëmundjet që luftohet në të gjithë territorin e vendit sipas Programit të Masave për Mbrojtjen Shëndetësore të Kafshëve Shtëpiake të Republikës së Serbisë.
