Magazina
Mundë të organizohen protesta përpara shkollave dhe godinave të komunave Bujanoc dhe Preshevë?!
Ora e parë e mësimit, nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, do të fillojë me protesta, në shenjë pakënaqësie për tekstet shkollore, që u mungojnë.
Lidersh(q)ipi politik dhe institucional i Luginës, në takimin e përbashkët me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme i ka udhëzuar ata, që dita e parë e vitit të ri shkollor, të filloj me protesta, duke kërkuar tekste në gjuhën amtare.
Në këto protesta, liderët partiakë e institucionalë shqiptarë, gjithashtu kanë kërkuar të bashkohen edhe prindërit për tu dëgjuar zëri i tyre edhe më larg deri në Beograd me moton: “Stop, diskriminimit të arsimit shqip!”, “Duam libra shqip!” etj.
Të parët tanë udhëheqës “mbeten me shpresë, që zëri i tyre politik dhe zëri i nxënësve të jetë, ai, që do të zgjidh njëherë e përgjithmonë këtë problem!”.
Kështu nuk mendon Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, ajo është fort e shqetësuar me fatin e shkollave shqipe, të cilat asnjëherë më parë nuk kanë qenë më keq se sot.
Nxënësit shqiptarë të kësaj Lugine, në vend se ta presin me gëzim fillimin e vitit të ri shkollor, ashtu si moshatarët e tyre anembanë botës, ata janë të detyruar të bërtasin e të brohorisin: “Duam libra shqip!”
E kush duhet tu sigurojë këtyre shkollarëve libra mësimi?! Ata nuk janë fajtorë e as prindërit e tyre, të cilat sorollaten nëpër librari për të siguruar libra, të cilat mungojnë.
Ky problem nuk është i sodit, ai, po na përsëritet për çdo vjet. Tekstet nga Shqipëria janë të ndaluara për nxënësit shqiptarë të Luginës, ato të Kosovës konfiskohen nga autoritetet serbe, ndërsa ato pak libra, që ekzistojnë nuk vlejnë për hudhra!
Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilit fatmirësisht që po i del mandati, parvjet nxori një Abetare pa identitet, të cilin nuk e dëshironin nxënësit shqiptar, bile as pushtetet lokale.
E ky Këshill Nacional derdh lot krokodili për fatin e shkollave shqipe, të cilave lëre që u mungojnë tekstet shkollore, por atyre nga viti në vit, po u zvogëlohet numri i nxënësve dhe paraleleve. Ai, në kuadër të këtyre kompetencave, që ka disponuar nuk ka arritur gjatë mandatit të tij ta zgjidh problemin e teksteve shqip, e po do që me protesta të alarmoj një problem të tillë!.
Kështu veprojnë edhe pushtet lokale në Preshevë dhe Bujanoc, të cilat i kanë politizuar tej mase shkollat, duke i angazhuar si mësimdhënës militantët e tyre partiakë, duke mos bashkëpunuar me Këshillin Nacional, për t’i dhënë fund rrëfimit të dhembshëm për fatin e librave dhe problemeve të tjera me të cilat po ballafaqohet arsimi shqip në Luginë të Preshevës.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, më të arsyeshme do ta konsideronte, një protestë popullore përpara godinave të pushteteve lokale dhe selisë së Këshillit Nacional, të cilat nuk janë angazhuar si duhet e sa duhet për sigurimin e librave shqip, se sa t’ua presim gëzimin e shumëpritur të nxënësve, për fillimin e vitit të ri shkollor, thuhet në reagimin e Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc