Magazina

Boksieri preshevar Sevdail Sherifi, më 30 gusht, përballë Björn Blaschke

Boksieri me shtetësi zvicerane, Sevdail Sherifi, i cili jeton dhe vepron në Buchs të St.Gallenit, këto ditë po qëndron në atdhe për t’i takuar familjarët e tij, por edhe për të marrë sa më shumë energji për meçet e tij të radhës. Pas SHBA-së, Zvicrës e Gjermanisë, ai përsëri do ta ketë edhe një meç të rëndësishëm në Cyrih të Zvicrës, më 30 gusht, mu në datën kur shumica e mërgimtarëve tanë do të jenë kthyer nga pushimet. Nëse do të dalë fitues nga ky meç i datës 30 gushtit, ai do të jetë më lart në ranglistën botërore, por edhe do t’i hapen rrugët për tituj internacionalë, por edhe evropianë. Lufta në ring do të zhvillohet në tetë runde. Kundërshtari është nga Gjermania dhe është një boksier i njohur, me 10 fitore e tri humbje, i cili pretendon që të vijë në Cyrih dhe ta mundë Sevdailin. Në lidhje me këtë meç, ne u takuam me boksierin Sevdail Sherifi dhe e morëm nga ai një prononcim për «dialogplus»:
«Po, më 30 gusht e kam meçin me gjermanin Björn. Ai është i përgatitur, është një boksier që pret për t’u ngjitur drejt sukseseve tjera, e atë qëllim e kam edhe unë. Por, meqë jam përgatitur dhe jam duke u përgatitur gjithnjë, shpresoj se do t’a dal edhe kësaj here që ta mund atë, por do të shikojmë, sepse boksit nuk i dihet. Se sa është i fortë, e kam parë, dhe jam duke e studiuar me stafin tim çdo lëvizje të tij. Kam ardhur në atdhe, në Tërnavë të Preshevës, për t’i takuar familjarët e mi, miqtë e mi, shokët dhe të gjithë ata që i njoh, e më pastaj do të shkoj në Zvicër. Edhe këtu sa jam duke qëndruar, nuk po rri, por jam duke ushtruar me disa miq që i kam në Preshevë, e të cilët më kanë ndihmuar edhe më herët. Dua të kënaqem me natyrën e vendit tim, një natyrë përrallore, ku janë rritur baba im, gjyshi e stërgjyshi im. Pa dyshim se forca do të më shtohet, meqë nga ky vend e fillova përgatitjen për meçin e 30 gushtit. Ju pres edhe ju në atë meç, por i ftoj edhe të gjithë ata që më kanë përkrahur dhe më përkrahin vazhdimisht që të jenë të pranishëm, sepse kur i shoh dashamirët e boksit, pa dyshim se ndihem më mirë. Po pres që të fitoj, edhe pse është një meç i vështirë, por më kryesorja – do të dal fitues. Janë tetë runde dhe si herët tjera, edhe kësaj here do ta marr seriozisht, edhe pse kam ende kohë». Sevdaili, pas këtij meçi, ka plane të tjera shumë serioze, për të boksuar në Amerikë, por edhe në Evropë. Ai është takuar edhe me disa boksierë të njohur, e shpresojmë që shumë shpejt do ta kemi një intervistë më të gjatë, që t’i njoftojmë lexuesit tanë. Prandaj, më 30 gusht, shpresojmë shumë se nga një pushim i ngarkuar në atdhe, mërgimtarët do të kenë mundësi, që në prag të vjeshtës, ta përjetojnë një mbrëmje të mirë boksi në Cyrih të Zvicrës. (dialogplus, presheva.com)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button