Magazina
Punëtorët e Elektrodistribucionit sulmohen në Tërnoc
Katër punëtorë të Elektrodistribucionit, dega jug-lindje, filialja në Bujanoc, sot rreth orës 12h janë sulmuar në qendër të fshatit Tërnoc.
Punëtorët shqiptarë të urdhëruar kishin dalë në terren për të shkyçur nga rrjeti furnizues i Elektrodistribucionit njërën nga familjet në lagjen Haxhi Musa që kishin borxhe ndaj kësaj ndërmarrje.
Siç ka mësuar Titulli nga burimet brenda Elektrodistribucionit, katër punëtorët e saj janë sulmuar në qendër të fshatit nga i dyshuari, kryefamiljari i shtëpisë së shkyçur nga rrjeti, i cili është i njohur për redaksinë.
Me këtë rast i dyshuari për sulm ka dalë përballë veturës së tipit Yugo dhe e ka goditur me një shufër të metaltë, përderisa punëtorët ishin brenda në veturë.
“Punëtorët kanë ikur nga vetura në drejtim të Bujanocit duke mos dashtë ballafaqim me sulmuesin”, i tha Titullit njëri prej dëshmitarëve okular.
Në vend të ngjarjes gjenden forcat e rendit derisa pritet të bëhet edhe regjistrimin i rastit. Policia ende nuk ka dalë me njoftim dhe nuk dihet a është bërë ndonjë arrestim lidhur me këtë rast./Titulli.com/