Magazina

Mehmeti: Nuk ka radikalizëm islamik në Maqedoninë përplot kryqe gjigante

Analisti Kim Mehmeti, në televizionin “Telma”, ku ka folur për temat aktuale që janë duke ndodhur ditëve të fundit në Maqedoni me protestat. Ai ka thënë se nuk mund të flitet për radikalizëm islamik në një vend ku ngado që ta kthesh kokën sheh kryqe gjigante.
Mehmeti ka thënë se “vëllazëria mes VMRO – DPMNE-së e BDI-së është realizuar plotësisht dhe ata nuk gënjejnë kur thonë se në Maqedoni ka harmoni ndëretnike, ngaqë Maqedonia ku jetojnë ata është shumë e begatë, ajo u ofron atyre vetura nga më të shtrenjtat, tenderë, u ofron pasurim të pafund për katër vite”.
“Mirëpo, Maqedonia ku jetojmë ne shqiptarët e thjeshtë, është krejtësisht një Maqedoni tjetër. Ajo është Maqedonia që të dënon pa ofruar fakte, siç ndodhi me rastin ‘Monstra’ kur ministrja e brendshme Jankullovska doli e tha se ka arrestuar tororistë islamik dhe vrasësit e viktimave edhe atë ende pa arritur ata te pragu i gjykatës, me çka ua shqiptoi dënimin qysh para dy vitesh”, tha Kim Mehmeti, duke iu përgjigjur pyetjes se si i vlerëson deklaratat e partive qeveritare se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të mira, njofton portali Almakos.
I pyetur nëse BDI-ja a e ka nën kontroll situatën dhe si e vlerëson komunikatën e kësaj partie për qetësim të situatës, Kim Mehmeti thotë se BDI-ja ka nën kontroll vetëm listat e votuesve e asgjë tjetër dhe shprehë habi se pse kjo parti u drejtohet shqiptarëve me komunikatë, përderisa asaj i bie në hise ta qetësojë situatën, asaj i bie në hise të del e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse dhe si ata dënohen.
Në pyetjen se pse protestat organizohen pas faljes së namazit, dhe mos vallë kjo paralajmëron një radikalizëm islamik Kim Mehmeti, ka thënë se kjo është absurde.
“Më flitni për radikalizëm islamik këtu ku ngado që e kthej kokën shoh kryqe gjigant, këtu ku edhe ujin, edhe ajrin, edhe tokën, edhe gurthemelet e objekteve që ndërtohen edhe me paratë tona, për çdo ditë, në prani të pushtetarëve, shenjtërohet nga ndonjë prift ortodoks. Por, unë megjithatë nuk flas për radikalizëm ortodoks! Andaj mos u merrni me atë që nuk ekziston, por përballuni me problemet që ka ky vend, i cili kalbet nga brenda”, ka thënë Mehmeti. /Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button