Familja Morina falënderon të gjithë ata që i ndihmuan

Që nga dita e diel kur gazeta “Zëri”, ka publikuar rrëfimin mbi gjendjen e familjes Morina të Lubishtës së Malishevës, për këtë familje ndihmat nuk kanë të ndalur.
Hafir Morina, kryefamiljar shprehet mjaftë i lumtur dhe tejet falënderues për të gjithë ata që i kanë ndihmuar deri më sot atij dhe fëmijëve.
Hafiri tregon se deri më tani i janë dhuruar rreth 5 mijë kilogram miell, edhe para të gatshme e shumë e shumë gjera ushqimore dhe veshmbathje për të gjithë anëtarët e familjes.
“ Deri më tani të gjithë qytetarët dhe të gjithë ata dashamirë na kanë ndihmuar me miell diku rreth 5 mijë kilogramë, edhe para të gatshme na kanë ndihmuar, gjëra ushqimore gati 1 mijë euro. Po ashtu na kanë ndihmuar edhe me një frigorifer. Edhe fëmijëve e neve pa ndërprerë janë duke na sjellur veshmbathje. Unë i falënderoj shumë të gjithë ata që na kanë ndihmuar, me të vërtetë siç thonë unë dua të çmendem prej gëzimit. Nuk po kam ku të rri prej gjërave që na kanë sjellur. Unë i falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar e po na ndihmojnë”, është shprehur Hafiri.
Ndërkaq bashkëshortja e tij, zonja Hidajete, teksa tregonte nuk mund ti ndalte lotët nga gëzimi, pasi që siç shprehet ajo, tani fëmijët kanë ushqim e veshmbathje të mjaftueshme. Hidajetja me lot në sy falënderon të gjithë qytetarët që i ndihmuan dhe vazhdojnë të ndihmojnë familjen.
“ Ishalla bëheni ju e të gjithë ata që na kanë ndihmuar si mali me borë që thonë. Dhashtë Zoti që çdo herë të dëgjoj vetëm mirë për të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Fëmijtë janë gëzuar tej mase, tash po kanë me ngrënë e me pi, e veshmbathje e të gjitha po i kanë. Prej gëzimit që ua ka bërë shtëpia me gjëra (qante teksa tregonte). Dhashtë Zoti që të gjithë këta njerëz kaq zemërgjerë të kenë vetëm të mira në jetën e tyre, se vetëm fëmijtë sa janë gëzuar mjafton. Nuk e di nuk kam fjalë me përshkru gëzimin e fëmijëve”, u shpreh Hidajetja./Zëri/