Ndërron jetë në fushën e lojës, Triumf Shabani nga komuna e Bujanocit

Futbollisti i Ferronikelit në Kosovë, Triumf Shabani ka ndërruar jetë gjatë kohës sa po luante futboll me shokët e tij.
Të shtunën rreth orës 23:30, Triumfi ishte duke luajtur futboll me shokët e tij kur papritmas ka pësuar një sulm dhe ka rënë në tokë pa ndjenja duke mos reaguar më. Ai gjatë ditës kishte qenë agjërueshëm.
Ky lajm i hidhur ka tronditur tërë futbollistët dhe trajnerët kosovarë të cilët kanë lëshuar një mori mesazhesh ngushëllimi për Triumfin dhe familjen e tij.
Triumfi ishte vetëm 20-vjeçar dhe nga të gjithë njihet si një djalosh shumë i urtë dhe tejet punëtor.
Titulli ka mësuar se i ndjeri është nga komuna e Bujanocit, respektivisht fshati Verban, mirëpo që nga paslufta me familje jetonte në Fushë Kosovë.
Triumfi para dy vitesh ishte shpallë lojtari më i mirë në rajonin e Fushë Kosovës, ndërsa me Ferronikelin këtë vit ishte fitues edhe i Kupës së Kosovës në futboll.