Magazina
Vidhen të dhënat mjekësore të Schumacherit – dalin në shitje
Dokumente që thuhet se i përkasin dokumentacion mjekësor të legjendës së “Formula One”, Michael Schumacher, me sa duket janë vjedhur, gjithnjë sipas menaxheres së tij.
Dosja ka dalë në shitje nga një person që po thotë se janë të dhënat e vërteta mjekësore të Schumacherit, i cili ka qenë në spital që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar pas një lëndimi të rëndë që e pësoi gjatë skijimit, transmeton Koha.net.
Si duket, këto dokumente u janë ofruar për shitje mediave në Britani, Gjermani dhe Francë, me një çmim prej rreth 40 mijë sterlinash.
Vjedhja është raportuar në polici, dhe tanimë janë duke u zhvilluar hetime rreth këtij incidenti i cili besohet të ketë ndodhur në spitalin Grenoble në Francë.
Menaxherja e Schumacherit, Sabine Kehm, ka kërkuar nga mediat që të mos i publikojnë në asnjë mënyrë këto të dhëna.
Ajo ka kërcënuar edhe me masa ligjore për çdo informatë që del në publik dhe që përfshin gjendjen mjekësore të Schumacherit.