Thaçi se heq prej goje autostradën Prishtinë – Bujanoc, e premton edhe njëherë

Në Gjilan, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, para qytetarëve foli si kryeministër dhe ju kumtoi atyre vendimin e Qeverisë, që me rishikim të buxhetit, do të fillojë së ndërtuari autostrada që do të nisë në Prishtinë e përfundojë në Konçul të Bujanocit.
“Ne kemi marrë vendim në Qeverinë e Kosovës, tanimë veç është kryer fizibiliteti edhe për Anamoravën që të vazhdojmë fuqishëm të investojmë, duke përfshi edhe qytetin e Gjilanit dhe gjithë Anamoravën dhe Karadakun. Ne kemi marrë vendim për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Bresalc- Gjilan – Dheu i Bardhë – Konçul të Bujanocit. Dhe me rishikim të buxhetit kjo rrugë do të fillojë së ndërtuari’’, tha sot Thaçi në Gjilan.
Thirrje për të votuar listën e PDK për deputetë e bëri edhe lideri i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, Lideri i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, dhe ai i Lëvizjes Vatra, transmeton ina.
Në tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputet të listës së PDK për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 8 qershor, Qemajl Mustafa, Zenun Pajaziti, Floriana Zymberi, Salie Mustafa, Sabedin Kadriu, dhe nga Partia e Drejtësisë Labinotë Demi-Murtezi dhe Nafije Gashi.