“Heronjtë’ shpëtimtarë gjatë përmbytjeve në Shkup

Rastet më të rënda ishin nxjerrja e një gruaje nga një makinë që gati ishte fundosur afër hotelit “Kontinental”
Familja Bekiri nga Shkupi e dëshmorit të UÇK-së në natën e tmerrshme të përmbytjeve dhe shiut të rrëmbyeshëm në Shkup ka arritur që të shpëtojë mbi 20 makina të përmbytura me udhëtarë maqedonas si dhe duke evakuuar mbi 50 persona, por edhe veturat e tyre.
Kjo familje thekson se në shpirtin e tyre dominon humanizmi dhe veprat e mira dhe se ata janë familjarë të devotshëm të dëshmorit të UÇK-së Abaz Bekiri nga Haraçina. Por bashkë me të ishin edhe Berat Limani, Orhan Memeti, Fisnik Gjoni,etj.
“Ajo natë ishte e tmerrshme dhe ne hasëm në përmbytjet që kishin ndodhë në Autokomandë. Sapo pamë vetura të përmbytura dhe njerëz të trishtuar e shtangur brenda tyre, nisëm aksionin e shpëtimit. Makinat po notonin mbi ujë, ndërsa brenda tyre kishte edhe familje të tëra. Ne i flisnim shqip e maqedonisht, por shumica që shpëtuam ishin maqedonas. Derisa ne po shpëtonim, qindra studentë maqedonas në konviktin ‘Stiv Naumov’ vetëm po shikonin dhe bënin sehir. Ky ishte një turp për ta dhe se këtë e deklaronin edhe qytetarët maqedonas që i shpëtonim”, thekson për INA Fuat Bekiri, 23 vjeç, djali i dëshmorit Abaz Bekiri.
Sipas tij, rastet më të rënda ishin nxjerrja e një gruaje nga një makinë që gati ishte fundosur afër hotelit “Kontinental” dhe këtë akt e bën Idriz Bekiri dhe ish-ushtari i UÇK-së, Ilmi, i njohur si pronar i marketeve “Liburna” në Haraçinë.
Familja Idrizi rrëfen edhe për shpëtimin e një gruaje shtatëzënë, të cilën e refuzoi ta merrte Autoambulanca, dhe se ata më pas e dërguan me shpejtësi dhe në kushte të rënda në rrugë drejt spitalit Re-Medika.
“Ne kemi marrë shumë mirënjohje dhe faleminderime. Këtë e bëm sepse kemi shpirt humanizmi dhe jo qyqarllëku, ashtu siç shikonin studentët maqedonas nga konvikti. Kurdo që të jetë nevoja do të jemi të gatshëm për të shprehur humanizëm, sepse këtë edhe e kemi traditë”, theksoi Fuat Idrizi.