Nuri Seferi, kampion i Evropës
Me 37 vjet dhe 42 luftëra profesionale (36 fitore), “Tajsoni shqiptar”, emër me të cilin njihet Nuri Seferi, ka fituar për herë të tretë pas vitit 2010 dhe 2012 “EM” titullin në versionin WBO.
Seferi ka mposhtur të premten mbrëma kampionin e mëparshëm evropian, Tamas Lodi, një boksier hungarez, në CU-Arena në Neugraben, Gjermani, pas dymbëdhjetë rundesh.
Seferin e kanë përkrahur qindra bashkatdhetarë në sallën CU-Arena, të cilët e kanë motivuar gjatë gjithë kohës.
“Tajsoni shqiptar” nga Gostivari i Maqedonisë ka siguruar fitoren e 36-të në 42 luftëra profesionale, prej tyre 20 me nokaut. Kurse ka gjashtë humbje, prej tyre një me nokaut.
Seferi mbante pozitën e 14-të në kategorinë deri në 90 kg (Cruiserweight), kurse pas këtij triumfi ngjitet në top pesshën e WBO-së në botë.
Shqiptari nga Gostivari i Maqedonisë, i cili jeton në Bernë të Zvicrës, në këtë mënyrë mund të vazhdojë të shpresojë për një luftë për titull bote.
Në kategorinë “Cruiserweight” titullin e kampionit të botës në WBO e mban që nga viti 2009 gjermani Marco Huck (29).
Kundër gjermanit Huck shqiptari nga Maqedonia në vitin 2006 ka humbur pas dhjetë rundeve me pikë.