Dyfytyrësia e kosovarëve përballë shqiptarëve të Shqipërisë

Para disa ditësh paraqitja e Zdravko Colic në Tiranë, kishte shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë. Por vetë kosovarët aktualisht janë nikoqir të yllit serb të filmit Miki Manojlovic, i cili po përgatit shfaqjen Romeo dhe Zhulieta. Me të po bashkëpunojnë edhe aktorë shqiptarë. Më 1999 Manojlovic kishte kundërshtuar fushatën ajrore të NATO’s që parandaloi gjenocidin serb në Kosovë
Zdravko Colic më kot ishte munduar të thotë ca fjalë të mira për shqiptarët, kur po jepte një intervistë në Tiranë.
Paraqitja e tij në kryeqytetin shqiptar kishte zemëruar tej mase kosovarët të cilët “ishin prerë në besë” nga vëllezërit përtej kufirit, të cilët ia kishin lejuar vetës të argëtoheshin me një këngëtar serb, i cili kishte kënduar më 1999 në një koncert në Beograd që po kundërshtonte bombardimet e NATO’s në Serbi.
Por vetë kosovarët këto ditë janë nikoqirë të aktorit të njohur serb Miki Manojlovic.
Manojlovic i njohur për bashkëpunimin e tij me regjisorin Emir Kusturica dhe për pjesëmarrjen edhe në filma të Hollywoodit duket se po ia kalon mirë në Prishtinë. Në një intervistë për mediat serbe kohë më parë ai ka treguar se është pritur mirë në kryeqytet dhe se kosovarët e përshëndesin në rrugë e madje edhe i kërkojnë të bëjnë fotografi me të.
Madje ka treguar se për projektin e tij në Kosovë ka marrë para nga një fondacion në Kosovë.
Të mërkurën mbrëma ai është parë në një nga restorantet e kryeqytetit i shoqëruar nga Alban Ukaj aktor kosovar që jeton në Sarajevë. Ndërsa për shfaqjen e tij tashmë janë përzgjedhur aktorët Enver Petrovci, Gresa Pallaska dhe Alban Ukaj.
Manojlovic në një intervistë para disa javësh kishte deklaruar se politika nuk është sfera e tij, por kështu nuk kishte qenë më 1999 kur Manojlovic kishte kundërshtuar bombardimet e NATO’s.
“Perëndimorët duhet ta kuptojnë se askush nuk mund ta shtrëngojë askënd, se Ballkani duhet ta jetojë jetën e vet me shumësinë e kulturave, religjioneve, dhe gjuhëve. Ata duhet ta kuptojnë se nuk duhet ta përkeqësojnë situatën me frustrimet e tyre dhe idetë e tyre që nuk funksionojnë, sa më shumë bomba që biejnë mbi Jugosllavi aq më pak siguri do të ketë në Europë”.