Në Shqipëri kapet avioni që transportone drogë

Policia e Shtetit në një superoperacion të zhvilluar në orët e pasdites së sotme ka bllokuar një avion në Divjakë të Lushjes, i cili fluturonte pa leje në hapësirën ajrore shqiptare.
Burime nga policia bëjnë me dije se piloti i avionit të bllokuar është një shtetas italian, ndërsa dyshohet se avioni transportonte lëndë narkotike.
Pas pak pritet që Ministria e Brendshme, të dalë në një konferencë për mediat, ku pritet të zbardhë dhe detaje mbi operacionin.
Prej ditësh Partia Demokratike ka nisur një seri akuzash për Forcat e Armatosura në lidhje me trafikun e drogës. Fillimisht ata ngritën disa pyetje për Ministren dhe Kryeministrin, më pas e ashpërsuan gjuhën për të arritur te dita e djeshme ku në mënyrë konkrete thanë se nga aeroporti i Gjadrit dhe Divjakës është ngritur avion ushtarak me lëndë narkotike.
Burime nga kjo parti bënë me dije se selia blu disponon një letër të shërbimit sekret shqiptar, që duket se konfirmon ekzistencën e dyshimeve mbi përdorimin e strukturave të ushtrisë për trafikun e drogës.
Mbi këtë letër të Shërbimit Informativ Shtetëror duket të jetë bazuar denoncimi publik i bërë nga drejtues dhe deputetë të PD-së, të cilët akuzojnë ushtrinë shqiptare për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas burimeve të besueshme, ka qenë një informacion i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, sot Agjencia e Inteligjencës Ushtarake, prej nga ka nisur edhe verifikimi i të dhënave.
Burimet konfirmojnë se bëhet fjalë për informacione të mbledhura nga policia kriminale e Policisë Ushtarake dhe më pas të përpunuara brenda strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Leave a Reply

Back to top button