Kapen tri gra shqiptare me 11 kg heroinë në Cyrih
Policia kantonale e Cyrihut ka arrestuar tre persona në Embrach të premten (1 prill 2022) dhe me atë rast ka sekuestruar rreth njëmbëdhjetë kilogramë heroinë dhe katër kilogramë materie për përpunimin e drogës
Të premten pasdite, policët kantonalë kanë kontrolluar para një prone, një kosovare 65-vjeçare me banim në Embrach, të dyshuar për tregti me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të mëvonshëm të shtëpisë, policia ka gjetur rreth njëmbëdhjetë kilogramë heroinë, katër kilogramë lëndë për përpunim të drogës dhe sasi të vogla kokaine dhe marihuanë, thuhet në një komunikatë të Policisë Kantonale, të publikuar në www.zh.ch (faqen zyrtare të Kantonit të Cyrihut).
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në banesë ka pasur edhe persona të tjerë, transmeton albinfo.ch. Një shtetase 27 vjeçare e Shqipërisë, e cila ndodhet ilegalisht në Zvicër dhe një 23 vjeçare tjetër po ashtu shtetase shqiptare por me banim në Embrach janë arrestuar nën dyshimin se kanë shkelur ligjin për narkotikët.
Tri gratë e arrestuara u dërguan në zyrën e prokurorit publik Winterthur/Unterland pasi policia kishte përpunuar rastin.