Pensionistët kërkojnë takim me Vuçiqin për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve
Shoqata e Sindikatave të Pensionistëve të Serbisë ka kërkuar takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të rritjes drastike të çmimeve të produkteve ushqimore dhe përkeqësimit të gjendjes financiare.
Në njoftimin e kësaj shoqate thuhet se rreth një milion pensionistë jetojnë me të ardhura më pak se 30.978 dinarë në muaj, sa është pensioni mesatar në Serbi.
Ata i kërkojnë presidentit takim për ndryshimin e “formulës zvicerane” dhe rregullimin e jashtëzakonshëm të pensioneve që kanë rënë nën 40 për qind të pagës mesatare, vendosjen e pensioneve minimale dukshëm më të larta se ato bujqësore, bërjen e kartave sociale për pensionistët, si dhe çështjen e pikë dënimi për pension të parakohshëm.
“Pensionistët janë të vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë në të cilat ndodhet Serbia dhe tundimet që e presin Serbinë në periudhën e ardhshme dhe për këtë ju keni mbështetjen e madhe të shumicës së pensionistëve për të vazhduar në atë rrugë. Pensionistët me të drejtë presin që të mos harrohen në këtë situatë të vështirë”, thuhet në letër.