Sa qesharake bëhemi me 8 mars
Pas fytyrave të ngrira nga botoksi, ku buzëqeshja nuk ka kohë që ka lindur, thirrjet për solidaritet janë nga më të ndryshmet: dikush të fton të ngjitesh në majë, dikush tjetër për të bërë një maratonë 40 km, një tjetër, mbushni qeset plastike me ushqime të skaduara ose gati të skaduara për gratë në nevojë dhe të gjitha për të bërë një bilanc se sa “klikime kam marrë nga fotot që kam bërë në Instagram”.
8 Marsi po afron dhe duhet të bëjmë diçka dhe gjithnjë e më shumë ata që kanë harruar prej dhjetëra vitesh thonë edhe një herë më fal, ju lutem faleminderit, ju dua shumë, mirëmëngjes, natën e mirë. Ndoshta, për çështje kaq të ndjeshme, duhet të keni humbur ndjeshmërinë tuaj me kalimin e kohës. Sa paraqitje dhe sa pak punë dhe fakte ka në këto gjëra. E kuptuam kur filluam sensibilizimin për një tjetër kauzë të drejtë dhe të mirë, pa asnjë interes, pa asnjë përfitim. Askush nuk ishte gati të humbiste qoftë edhe një fjalë, aq më pak një kontribut. Për vite e vite kemi qenë vetëm, fillika, siç janë vetëm gratë dhe vajzat kur kanë nevojë për mbështetje, një fjalë, ndihmë, drejtësi.
8 Marsi po vjen dhe ne do të shohim spektakle të organizuara bukur dhe mirë, sidomos vipa tonë të një kategorie të veçantë. Ata që kur i njihni nga afër, janë më të frikshëm nga ç’e kishit imagjinuar në ëndrrat tuaja më të çmendura, por që janë gjithmonë gati për të vënë veten përballë objektivave të shkaqeve për një klikim. Më pas një drekë të mirë, disa çanta, bluza dhe kapele të sponsorizuara dhe kështu e zgjidhëm këtë problem.
E dimë shumë mirë sesi gratë e dhunuara mbeten vetëm 3 ditë pas ngjarjes së bujshme që i përfshin në një dhunë, në një masakër. Gra, nëna, motra që nuk kanë një derë ku të trokasin e të bërtasin se nuk u hapet një shoqatë, një institucion, një kishë apo një xhami. Gratë e mbetura në dhunë vuajtën, pa ndihmë dhe pa drejtësi. Gazetarët mbledhin historitë e tyre të tmerrshme, të frikshme dhe të rënda përtej imagjinatës më të egër të Hollivudit, por për të gjitha këto nëna, motra dhe gra, çudia dhe bashkë me të edhe vëmendja nuk zgjat më shumë se tre ditë.