Religjioni

Profili Psikologjik i Profetit Muhammed a.s.

Prof. Akademik. Dr. Pajazit Nushi

Profeti Muhammed a.s. ka qenë personalitet i veçantë, i fundit ndër perjgamberët, predikues i fes islame të më së një miliard njerëzve të racave, kombeve, kulturave dhe vendeve të ndryshme anekënd botës, i papërsëritshëm në çdo pikëpamje, të cilit ia shpalli All-llahu Kur’anin – veprën e shenjt të muslimanëve dhe për të gjitha këto Profeti Muhammed a.s. për të gjithë ngeli i denjë për nderim dhe respektim të përhershëm. Duke u nisur nga kjo e vërtetë e përjetshme për Profetin Muhammed a.s. kamë bërë përpjekje të mbledhë dhe t’i sistematizoj ato dijeni për personalitetin enciklopedik të Profetit dhe t’i paraqes sot para pjesëmarrësve të nderuar të këtij tubimi kur e shënojmë ditëlindjen e Profetit tonë.

Nëse dimë se Profeti Muhammed a.s. ka qe në vula e profetëve, sepse në personalitetin e tij janë ndërlidhur e janë stabilizuar vetitë e të gjithë profetëve të mëparshëm, predikues i fesë më të re monoteiste në botë, me gjenealogji të njohur si nga e ëma ashtu edhe nga i ati, që jetoi gjashtëdhjetë e dy vjet (prej vitit 570 deri në vitin 632) në Meke dhe Medinë, pyetjet e tjera që shtrohen janë: çfarë kanë qenë tiparet shpirtërore karakteristike për Profetin?, si janë manifestuar ato në sjelljet e tija? Dhe përse kanë qenë të këtilla?

Tiparet e personalitetit të Profetit Muhammed a.s.

Ne në psikologji më tipar të personalitetit kuptojmë ato veti të qëndrueshme të Profetit, të cilat e shpjegojnë stabilitetin emocional, qëndrueshmërinë e sjelljeve personale të temperamentit dhe të sjelljeve ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj armiqve, të varfërve, ndaj vetes etj., të cilin e ka ndryshuar vetëm në çastet e shpalljes së asaj që i thoshte All-llahu. Në këto çaste djersitej, rrëqethej, përqendrohej dhe ishte gati i pandjeshëm për gjithçka tjetër të tij dhe të mjedisit që e rrethonte. Por, pasi e thoshte atë që në atë moment, sikur thuhet në shumë shkrime, All-llahu ia thoshte qetësohej ngadalë dhe kthehej në gjendje të stabilizuar. Për këto ndryshime në qëndrueshmërinë e brendshme dhe të sjelljeve të jashtme të tija në faza të paparapara kohore gabimisht pohohet se Profeti ka pas çrregullime shpirtërore. Disa pa të drejtë ia atribuojnë tipare anormale, ndër të cilat përmenden edhe sulmet epileptike. Mendimet e këtilla janë të paqëndrueshme dhe, si të këtilla janë mendime të gabueshme, Së paku tri janë argumentet që i kundërvihen mendimeve të këtilla.

Profeti Muhammed a.s. ka pas gjenealogji nga i ati Abdullah dhe e ëma Emine dhe gjyshi e gjyshja e tij për të cilët nuk ka të dhëna se kanë lënguar nga sëmundjet e këtilla. Konstitucioni organik i trupit të tij dhe funksionimi i rregullt i sistemeve organike dhe fiziologjike gjatë gjashtëdhjetë e dy vjetëve të jetës pa simptome të dukshme dhe të qëndrueshme të ndonjë çrregullimi tregon për shëndetin e mirë dhe aftësinë e kontrollimit të shtjelljeve dhe për organizim harmonik dhe të përhershëm të tyre në përputhje me zhvillimin dhe me moshën. Këto argumente flasin shumë për personalitet të shëndoshë dhe me tipare psikike të integruara mirë. Por, përveç këtyre argumenteve ka edhe argumente të tjera. Çrregullimet mendore të përkohshme shkaktojnë dërrmim të organizmit dhe lënë pasoja në funksionimin e sistemit nervorë, përkatësisht të trurit, kurse Profeti ynë pas shpalljes së mendimeve nga All-llahu i ka kumtuar dhe formuluar këto mendime me gjuhë të rrjedhshme dhe kjo dallohet sidomos në Kur’anin e madhërishëm. Për këto shkaqe konsideroj se mendimet për çrregullime shpirtërore të Profetit Muhammed a.s. janë mendime të gabueshme.

Profeti Muhammed a.s. ka qenë personaliteti i pjekur dhe i integruar mirë në pikëpamje organike, shpirtërore dhe morale. Duke lënë anash sjelljet e veçanta në çastet e marrjes së mendimeve dhe kumtimit të tyre për të cilat nuk kam pas rast të lexoj të dhëna të besueshme, tiparet psikike të përhershme, të rëndësishme dhe më të dallueshme në integritetin e personalitetit të pjekut të Profetit Muhammed a.s. janë: mençuria, gatishmëria dhe trimëria për të vepruar me kujdes ndaj situatave dhe njerëzve që e kanë penguar atë në përhapjen e lirë të fes islame dhe në zhvillimin e mendimit islamik. T’i kujtojmë vetëm situatat e komploteve të drejtuara kundër Profetit, kundërshtimet e mushrikëve të Mekës, dyndjet në Abisini etj.

Men¬çuria e Profetit dallohen sidomos në angazhimin e përhershëm për ta njohur të vërtetën, për të vepruar sipas të vërtetës dhe për t’iu nënshtruar të vërtetës. Mbi themelin e së vërtetës e ka ngritur sistemin e së drejtës dhe të sjelljeve të secilit. Kur është fjala për të vërtetën dhe për të drejtën në shumë shkrime pohohet se për Profetin tonë “…ishin të barabartë si i afërmi ashtu edhe i largëti, i forti ashtu edhe i dobëti”. Në një rast kur e paskan pyetur Ajshen çfarë ishte natyra e Profetit a.s., ajo paska dhenë këtë përgjigje: “Natyra e tij ishte Kur’ani”. Kjo do të thotë se ato që i ka thënë për mirësjellje ato i ka realizuar në veprën e tij. Pajtueshmëria e plotë e të thënies me sjelljet e tija ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes tregon për tiparin më të rëndësishëm mendor e veprues të tij – për harmoninë e mendimit dhe të fjalës së thënë me sjelljet dhe me veprimet e tija. Ky virtyt shpirtëror i Profetit konsiderohet në shumë shkrime për jetën dhe veprën e Profetit Muhammed a.s., virtyt dominues dhe i pashtershëm i tij. Kërkimi i së vërtetës, zbulimi i saj dhe nënshtrimi i sjelljes ndaj të vërtetës ishte tipari që e shtynte të punoj e të veproj, të drejtoj dhe të organizoj aktivitetin islam kudo që ndodhej dhe me secilin që e këshillonte. Thënia e tij e pavdekshme me të cili i është drejtuar muslimanëve ka qenë: “Dituria është më e mirë se ibadeti”, që ka kuptimin më mirë për njeriun është me qenë i vetëdijshëm për atë që di dhe për atë që nuk e di se me i bë lutje. Dijenia dhe puna në bazë të dijenisë sipas thënies së Profetit Muhammed a.s., jo veç që barazohet me lutjen ndaj të Madhit Zot, por kësaj i jepet rëndësi edhe më e madhe. Ndaj injorancës, përkatësisht ndaj padijenisë dhe ndaj të paditurit që nuk përpiqet të mësoj dhe të di. Më lidhje me këtë Profeti ynë ka punuar shumë. Këtë e dallojmë në shumë shkrime, nga të cilat kam shkëputur këtë pohim: “Muhammedi s.a. i liroi me shpagim robërit e luftës, kurse ata që dinin -shkrim lexim e shpaguan veten duke ua mësuar shkrim – leximin nga dhjetë fëmijëve mysliman”. Për këtë tipar të rëndësishëm të Profetit Muhammed a.s., në gjuhën shqipe kemi një vepër të përkthyer nga arabishtja e Dr. Jusuf el-kardavit që ka titullin “Pejgamberi alejhi selam dhe dituria”, e cila ka një përmbajtje të shkëlqyeshme për tiparin e Profetit për kërkim të së vërtetës, për dituri, arsim, edukim dhe shkencë. Nga ky dijetar kam nxjerr disa pjesë të mendimeve, të cilat u referohet edhe dijetari për tiparin e angazhimit të vazhdueshëm të Profetit për dijeni dhe për përhapje dhe zhvillim sistematik të dijenisë dhe të mendimit shkencor. Dr Jusuf el-Kardavi i referohet disa herë një mendimi kur’anor: “O Pejgamber! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre. Strehimi i tyre është skëterra. E ky është vendbanim i shëmuar”. Dr Jusuf el-Kardavi në faqen 7-8 të librit të tij përmend mendimtarin El Gazaliu, i cili i referohet këtij mendimi: “…veçoria që i dallon njerëzit nga shtazët është dituria,. Njeriu është njeri për shkak të asaj se është me vlerë dhe fisnik e jo për shkak të fuqisë fizike, sepse deveja për nga aspekti fizik është më e fuqishme se njeriu, jo për shkak të ashtit, sepse elefanti është më i fortë, jo për shkak të trimërisë, sepse luani është më trim se ai (njeriu), jo për shkak të ngrënies, sepse demi (kau) e ka barkun më të gjerë se ai (njeriu), jo për shkak të marrëdhënieve intime, sepse harabeli (trumcakët) e nivelit më të ulët janë më të fuqishëm në marrëdhënie intime.

Njerëzit nuk janë krijuar për diç tjetër përveç për dituri dhe shkencë. Ndërkaq, boshnjaku Mehmet Hanxhiq në librin e shkurtër të tij “Muhammed alehji selam” i referohet fjalëve të Zotit kur ka thënë: “Çdo njëri është në humbje përpos atyre që besojnë, që bëjnë vepra të mira dhe që e porosisin njëri tjetrin që ta duan të vërtetën dhe durimin”.

Profeti Muhammed a.s. ishte i patejkalueshëm në të gjitha vetitë e tiparet njerëzore. Në këtë nivel vetitë e tiparet morale ishin më të lartat. Këtu duhet përmendur bujarinë, durimin, stabilitetin shpirtëror dhe qëndrueshmërinë e tij. Pohohet se “nuk kishte ndodhur kurrë që dikush t’i kishte kërkuar diçka e që ky të mos ia kishte dhënë duke thënë jo”. Për të drejtën dhe të vërtetën nuk e kursente kurrë veten e tij, vazhdimisht dhe me këmbëngulësi kërkonte dëlirësinë e shpirtit nga të gjithë. Me dëlirësi të shpirtit kuptonte lirimin më çdo kusht të secilit njeri nga veset e këqija dhe nga ato të shëmtuara.

Sistematikisht dhe pa u ndalë u ka shpjeguar shokëve ajetet e Kur’anitm domethënien e tyre, rregullat fetare, moralin e vërtetë e të pastër dhe kulturën e vetë shpirtërore.

Për këto tipare të larta njerëzore dhe për misionin e tij në zhvillimin dhe në përhapjen e fesë islame Karen Amstrong – komentuese e dalluar e çështjeve fetare në vendet anglofone para pakë kohësh botoi librin “Muhammedi – Një biografi e Profetit”. Ky libër u përkthye edhe në gjuhën shqipe. Mendoj se në gjuhën shqipe janë të rralla veprat e biografisë së Profetit tonë, kurse kjo e Karen Amstrongut për mua është më e mira.

Shkrimtari i madh rus Leon Nikollajveiq Tolstoj ka vdekur si mysliman, por la pas veti qëndrimin e tij, sipas të cilit, siç thuhet në librin e tij, “sikur njeriu të kishte të drejtë zgjedhjeje, atëherë pa kurrfarë dyshimi e hamendjeje çdo njëri i mençur do ta pranonte islamin, një Zot dhe të Dërguarin e Tij”. Rrugën e Tolstojit e ndoqën shumë intelektual të njohur nga fusha e letërsisë, e historisë, e mjekësisë, e politikologjisë etj. Të përmendnim vetëm disa prej tyre: Bismark, Gëte, Garodi, Kusto, Torez e shumë të tjerë.

Përfundim

Profeti Muhammed a.s. ka qenë dhe mbeti personalitet më i studiuar dhe, me gjithë këtë, jo i njohur gjithanësisht nga antropologët, historianët, juristët, enciklopedistët, studiuesit e fesë islame etj. Më së paku është hulumtuar nga psikologjia e personalitetit, sepse kjo është disiplinë shkencore relativisht e re dhe me metoda e procedura hulumtuese të mjaftueshme për studimin e personalitetevenga burimet biografike e bibliografike. Ne kemi bërë vetëm një orvatje modeste për të sintetizuar mendimin e shumë studiuesve për tiparet e personalitetit të Profetit Muhammed a.s. Nga tiparet intelektuale të larta, stabiliteti emocional dhe nga motivet e dashuria e respekti njerëzor dhe dashuria ndaj shkencës dhe mendimit shkencor përgjithësisht kuptojmë se personaliteti i tij ka qenë integritet i pjekur biopsikik dhe etik – fetar i nivelit më të lartë njerëzor, integritet ky që i ka parapritë moshës së tij me veçanti individuale të dallueshme nga të gjithë profetët para tij. Besimin islam e ka mbështetur në dy shtylla kryesore; në arsye dhe në shkencë. U trajtua personalitet enciklopedik duke hyr në të gjitha enciklopeditë e përgjithshme dhe të veçanta. Studiohet nga shumë disiplina shkencore, sikurse edhe nga psikologjia. Por, rezultatet e deritashme kanë treguar se ka shumë çfarë të studiohet për personalitetin e tij. Vetëm faktet elementare të njohura deri më sot tregojnë se Profeti Muhammed a.s. është personalitet i denjë për nderim dhe respekt të madh nga të gjithë ne. Ai ngelë personaliteti më i njohur, të cilit, shqiptarët, sidomos nga fusha e psikologjisë, duhet t’i kushtojnë studime të thella.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button