Myftiu Tërnava pret Koalicionin Shqiptar të Luginës: mbështetje për listën e përbashkët në zgjedhjet e 25 tetorit

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në selinë e BIK-ut përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, të cilët në zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele në Serbi dalin me një listë të përbashkët.
Delegacioni u kryesua nga deputeti Shaip Kamberi dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe në të morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të tetë partive shqiptare që janë bashkuar në këtë garë.
Myftiu Tërnava i përgëzoi për vendimin për të garuar të bashkuar dhe u uroi sukses në zgjedhjet e 25 tetorit. Në një deklaratë për media, ai shprehu mbështetjen për nismën e përbashkët të shqiptarëve të Luginës dhe shpresën që ata të kenë sa më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë.
Deputeti Shaip Kamberi theksoi se përfaqësimi i shqiptarëve në parlamentin serb është shumë i nevojshëm dhe se kjo kërkon mobilizimin e qytetarëve. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote, qofshin në Kosovë apo në diasporë, që të dalin dhe të votojnë.
Kandidati për deputet Visar Mehmeti vlerësoi ndikimin që kanë Myftiu Tërnava dhe Bashkësia Islame e Kosovës në Luginën e Preshevës, duke shprehur shpresën se mbështetja e tyre do të ndihmojë në nxitjen e qytetarëve për të votuar Koalicionin Shqiptar.
Përfaqësuesit e partive shqiptare çmuan edhe angazhimin e imamëve shqiptarë që veprojnë nën juridiksionin e BIK-ut, të cilët u kanë bërë thirrje besimtarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për Koalicionin Shqiptar.

