Administrata e Trump ka anuluar më shumë se 300.000 viza amerikane

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka anuluar më shumë se 300.000 viza amerikane gjatë mandatit të tij të dytë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, ka shkruar në rrjetin X se kjo administratë ka anuluar më shumë viza, dhe me ritëm më të shpejtë, se çdo administratë tjetër në histori. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë tolerancë për të huajt që shkelin ligjin, kryejnë mashtrime ose cenojnë sigurinë kombëtare.

Trump ka deklaruar disa herë se masat e tij kundër imigracionit dhe deportimet masive kanë për qëllim rritjen e sigurisë së brendshme.

Administrata ka vendosur gjithashtu kontrolle më të rrepta të profileve në rrjetet sociale për imigrantët dhe për ata që aplikojnë për vizë.

Nga ana tjetër, aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se kjo fushatë shkel procedurat ligjore dhe lirinë e fjalës. Sipas tyre, ajo ka krijuar një klimë pasigurie, sidomos për pakicat etnike që ankohen për profilizim racor, dhe akuzojnë qeverinë se po përdor arsyet e sigurisë kombëtare për të shënjestruar kritikët.

Back to top button