“Tirana më tha: adresa juaj është Beogradi” – Shqiprim Arifi zbulon kush e la vetëm Luginën

Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, në letrën ku njoftoi tërheqjen e tij nga jeta publike, ka rrëfyer se si qendrat kryesore shqiptare, sipas tij, ia kthyen shpinën idesë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
Arifi shkruan se që në fillimet e tij në politikë është përballur me refuzime nga të gjitha anët, por se asnjëherë nuk është dorëzuar.
“Kur fillova të merrem me politikë, Tirana më tha: adresa juaj është Beogradi. U çudita, por nuk u dorëzova. Prishtina më tha: s’bëhet bashkangjitja e Luginës, duhet vazhduar të rezistohet në Serbi. U habita, por nuk u dorëzova! Shkupi tha: i kemi hallet tona, bëjani çaren edhe ju vetes. I kuptova disi, por nuk u dorëzova!”, shkruan Arifi.
Ai përmend edhe qëndrimet e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Për të parët thotë se i ka respektuar, ndërsa për VV-në shkruan se i kanë kërkuar të bashkëpunojë “ashtu siç themi ne”, përndryshe do t’i hapnin luftë. “Qesha, sepse s’më kanë njohur…, andaj dhe luftova!”, shton ai.
Sipas Arifit, më e rënda për të ishte fakti se ideja me të cilën ishte rritur, nga Kosova Republikë te bashkangjitja e Luginës, nuk ndahej pothuajse nga askush në politikën shqiptare. “Pothuajse askush në politikëbërjen e shqiptarisë, nuk e kishte të njëjtën ide, motivacion dhe pikësynim”, shkruan ai.
Në letër, Arifi kujton edhe vitin 2018, kur sipas tij u ftua nga ish-presidenti Hashim Thaçi për të punuar për Referendumin e Luginës. Ai kritikon gjithashtu ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili sipas Arifit në Konferencën e Berlinit më 2019 nuk e pranoi propozimin e kancelares Merkel për pezullimin e taksës për tre muaj.
“Askush në politikën e Kosovës nuk e do më Luginën pjesë të Kosovës”, shkruan Arifi, duke e cilësuar këtë si “marre” dhe “tradhti” ndaj punës njëqindvjeçare shqiptare.
Arifi thotë se tërheqja e tij është “e pacaktuar në kohë” dhe se do të rikthehet vetëm atëherë kur të ndryshojë mendësia e shoqërisë dhe kur lufta për bashkimin e Luginës me Kosovën “prap të bëjë kuptim”.
