Shqiprim Arifi tërhiqet totalisht nga jeta publike: “Bëra aq sa munda, tani është radha e juaj!”

Shqiprim Arifi ka vendosur të largohet përfundimisht nga jeta publike, pas 27 vitesh aktivitet. Në një letër të gjatë dhe shumë personale, ai tregon se si Tirana, Prishtina, Shkupi dhe VV ia kthyen shpinën idesë së bashkimit të Luginës me Kosovën, dhe se si propozimi i Merkelit në Berlin më 2019 u refuzua nga Haradinaj.

“Askush në politikën e Kosovës nuk e do më Luginën pjesë të Kosovës. MARRE, se edhe ne jemi shqiptarë”, shkruan ai.

Arifi paralajmëron se tërheqja e tij është “e pacaktuar në kohë” dhe se mund të kthehet vetëm kur të ndryshojë mendësia e shoqërisë.

Lexoni letrën e plotë më poshtë.

Siç mund ta paramendoni dhe ju, të lindësh në mes viteve 70-ta në Gjermani dhe të rritesh larg prejardhjes, fisit e kombit, larg familjes, me një fjalë në një vend të “huaj”, malli për të gjithë mund vetëm të ta shtojë dashurinë.

Dashuria për vendin tim, Tërrnavën në Luginën e Preshevës, më shtyri që ta mësoj gjuhën shqipe më intensivisht dhe të realizoj dhe jetoj ëndrrën për t’u kthyer në vendin prej nga vjen familja ime dhe aty ku unë ndjehem në “vendlindje”.

Deshti Zoti i Madh, që pas 37 vitesh më mundësoi, së bashku me prindërit e mi, bashkëshorten time dhe fëmijët e mi, të kthehem aty ku kam ëndërruar që nga fëmijëria.

Ka qenë në vullnetin e Zotit të Madh gjithashtu, që të më jepej pushtet dhe të veproj me fuqinë e duhur, që dashurinë për popullin shqiptarë në përgjithësi dhe Luginën në veçanti, të drejtën, të mirën, të duhurën dhe të bukurën, t’i kisha për udhërrëfyes, e assesi interesin individual dhe grupor, siç rëndom ishte dhe vazhdon ende të jetë mes shumë politikanësh shqiptarë.

Deshti Zoti i Madh, ma dha mundësinë, së bashku me Presidentin Thaçi, të shtyjmë, lobojmë dhe punojmë për Bashkangjitjen e Luginës me Kosovën dhe, kështu pra, me qenë pjesëmarrës në realizimin e Referendumit të Luginës.

Besoj se po e kuptoni, që kam arsye të panumërta për të falënderuar Krijuesin e Madh, e që kjo hapësirë më limiton për t’i përfshirë të gjitha.

Megjithëkëtë, jeta i ka edhe befasitë dhe çudirat e saj. Në gjithë këtë rrugëtim të veprimtarisë publike, ata që i kam dashur thellësisht shumë, shqiptarët e mi, qofshin nga familja apo nga shoqëria, u bënë fatkeqësisht të parët që më penguan apo luftuan! Më hipokrit u treguan ata që të parët u aktivizuan në rrugëtimin e përbashkët me petkun e “melaqeve”, punëtorë e aktivist, të cilët me kohë zbuloheshin si “dreqen”, duke më shpallur luftë dhe tradhëtuar, me zell të veçantë kundër meje. Pa dyshim, ka pasur edhe shembuj të mirë, të cilëve u jam falënderues nga shpirti, të cilët qysh nga fillimi ose disa më vonë, pas qartësimit apo edhe pendimit të tyre, më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim. Fatkeqësisht, këta të fundit janë pak në numër.

Më e rënda për mua personalisht, ishte pasi jam rritur e edukuar nga prindërit e mi, me idenë e të bërit Kosovën Republikë dhe pastaj me idenë e bashkangjitjes së Luginës, duke e kulminuar me Shqipërinë etnike, që pothuajse askush në politikëbërjen e shqiptarisë, nuk e kishte të njëjtën ide, motivacion dhe pikësynim.

Kur fillova të merrem me politikë, Tirana më tha: adresa juaj është Beogradi. U çudita, por nuk u dorëzova. Prishtina më tha: s’bëhet bashkangjitja e Luginës, duhet vazhduar të rezistohet në Serbi. U habita, por nuk u dorëzova! Shkupi tha: i kemi hallet tona, bëjani çaren edhe ju vetes. I kuptova disi, por nuk u dorëzova! Shumë nga UÇK-ja më thanë: vonë jemi, është dashtë…, s’është dashtë…, ashtu-kështu… I respektova se i dua, por nuk u dorëzova! VV më thanë: me neve duhet të bashkëpunosh ashtu siç themi ne, Jo, jo, do të hapim luftë ty! Qesha, sepse s’më kanë njohur…, andaj dhe luftova!

Nga e gjithë kjo përvojë e hidhur, sepse Zoti s’të lë bash pa hiç, në një moment, më 2018, më ftoi Presidenti Thaçi. Më tha që don të realizojë më në fund Referendumin e Luginës dhe më pyeti: a je me mua? Qesha dhe thashë: Pikërisht këtë jam duke e pritur e kërkuar, edhe atë që nga fëmijëria ime!

U ngritën ata të VV, bënë demonstrata kundër bashkangjitjes dhe na quajtën tradhtarë bashkë me Presidentin, sepse e deshtëm bashkimin kombëtar, për të cilin ata me dekada na gënjenin. Kurse kryeministri i atëhershëm Haradinaj, në Konferencën e Berlinit më 2019 nuk e pranoi propozimin e kancelares Merkel, që të suspendonte taksën për tre muaj, në mënyrë që të realizohej bashkëngjitja e Luginës dhe heqja qafe e ca katundeve të lodhta serbe në veri.

Pse!? Sepse ne kinse po e “ndanim” Kosovën?!
O sa të mjerë, kur nuk kuptojnë se Kosova është vetëm e ndarë, sepse shqiptarët e Luginës janë vetë Kosova, por si pjesë e anektuar e Serbisë!

Askush në politikën e Kosovës nuk e do më Luginën pjesë të Kosovës. MARRE, se edhe ne jemi shqiptarë dhe kemi kontribut në shtetndërtimin e Kosovës. TRADHËTI që i’a bëni punës 100-vjeçare shqiptare dhe KRIM, sepse Serbia po na spastron etnikisht edhe nga ky vend autokton shqiptarë, Lugina!

Pas gjithë kësaj, ende nuk po dua që të dorëzohem, sepse s’është tipari im dhe s’është në karakterin tim, siç keni mund ta kuptoni gjatë gjithë këtyre viteve.

Por pas kulminimit të Aktgjykimit të datës 16 shtator, e kuptova më në fund se populli ynë ka një tendencë të vetëshkatërrimit, tashmë kur gjendet në konfort zonën e tij. Dhe që si kolektivitet nuk dijmë të sillemi në paqe me njëri-tjetrin dhe prap rikthehemi aty, ku Anton Çeta dhe të tjerët na kanë nxjerrë në fund të ’80-a, pra në belaja me veten dhe të gjithë të tjerët, qofshin miq, dashamirë apo aleatë, qoftë edhe SHBA…!

Pas 27 vitesh aktivitet në emër të Zotit të Madh, dedikuar shqiptarisë dhe shqiptarëve, dua të tërhiqem, pas tërheqjes sime para dy viteve nga politika aktive, tani edhe totalisht nga jeta publike! Po tërhiqem sepse politika dhe shoqëria shqiptare nuk është e interesuar që të ndërmarrë asnjë hap konkret për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Luginën si gjeografi shqiptare, njëherit dhe viktimë politike e Beogradit zyrtar.

Njëjtë siç ndodhi me Çamërinë, për të cilën tani të gjithë qajnë, njëjtë siç ju ndodhi edhe çlirimtarëve tanë, sakaq kurrë s’kisha besuar që ka njerëz që kësaj disfate për Kosovën t’i gëzohen, e që ka nga të tillë edhe zyrtarë në qeverinë aktuale!

Kjo tërheqje, me plot vetëdije, është ndër vite e pacaktuar në kohë; atëherë kur gjërat të ndryshojnë në mendësinë e shoqërisë sonë, e ndoshta edhe në rrethana të tjera gjeopoltike të më kthehet shpresa, që prap ta bëjmë shtetin shtet dhe lufta për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën prap të bëjë kuptim.

Deri atëherë, ju lë nën Mëshirën e Zotit të Madh. Sepse vetëm Ai ju vie hakut, prej Atij dhe priteni ju, shqiptarët e mi, “shpërblimin” për mosmirënjohjen e sakrificës me emrin UÇK.

Mos harroni, Zoti ashtu siç u’a dha shtetin, ashtu di edhe t’ua marrë. Gjithçka është gati, kujdes(!), në OKB s’jemi ende anëtar, rezolutën 1224 mbi qafë e kemi dhe së fundmi e kemi izoluar veten nga të gjithë, kurse armiqtë tanë po avancojnë në gjitha sferat!

Për preshevarët e mi! Ju i dini më së miri të metat dhe dobësitë tona, keni frikë nga Zoti për tradhëtitë që i’a bëni njëri-tjetrit, për dyfytyrsinë që e zhvilloni e punoni në mesin e shoqërisë dhe për mosmirënjohjen ndaj njerëzve qëllimmirë, sepse Zoti është dëshmitarë ndaj gjithësecilit në çdo kohë dhe moment!

Zoti na ruajtë dhe na faltë për gabimet që i kemi bërë individualisht dhe si shoqëri, për mosmirënjohjen ndaj viktimave të luftërave, për hyrjen në hak si shqiptarë ndaj Luginës së Preshevës dhe ndaj luftëtarëve tanë në Hagë dhe na faltë që jemi një popull i tillë dhe na përmirësoftë! Amin!

Kaq nga unë, bëra aq sa munda, tani është radha e juaj!

Back to top button