BIA Sërbe arreston dy persona nën dyshimin për spiunazh në favor të Shqipërisë dhe Kosovës

Në një aksion të përbashkët të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë, si dhe Drejtorive Policore të Vranjës dhe Jagodinës, janë arrestuar dy persona nën dyshimin se i kanë dërguar të dhëna Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH) lidhur me pjesëtarët aktivë të BIA-s.
Në Vranjë është arrestuar D.C. (46) nga Shillova e komunës së Gjilanit, ndërsa në Jagodinë është arrestuar N.P. (50) nga Jagodina.
Sipas informacioneve që transmeton agjencia e lajmeve Tanjug, të dyshuarave u vihet në barrë vepra penale “spiunazh” nga neni 315, paragrafët 1 dhe 3 të Kodit Penal.
Ato dyshohen se Shërbimit Informativ të Shqipërisë, degës së tij në Kosovë – të ashtuquajturës Agjenci e Inteligjencës e Kosovës (AKI), si dhe njësisë së inteligjencës së Policisë së Kosovës, u kanë dorëzuar të dhëna për pjesëtarët aktivë të BIA-s dhe angazhimin e tyre.
Me urdhër të gjykatës kompetente është kryer edhe kontrolli i objektit që shfrytëzonte N.P. në Jagodinë. Me këtë rast janë konfiskuar sende të caktuara dhe pajisje elektronike që dyshohet se lidhen me kryerjen e kësaj vepre penale.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
