Prej Realit iku shkaku i Ronaldos!
“Nga Reali ika prej Ronaldos”. Kështu së paku tha Gonzalo Higuain, i cili e konsideron ish-shokun e ekipit, Cristiano Ronaldo, si një futbollist egoist dhe të mbivlerësuar.
Sulmuesi i Napolit shprehet se ai te Real Madridi nuk ka kaluar momente shumë të bukura për shkak të yllit portugez, i cili mendon vetëm për vete dhe aspak për shokët e tjerë të ekipit.
Ronaldo ishte aq problematik sa edhe në stërvitje, nëse shënohej gol pa i pasuar, acarohej së tepërmi.
“Kur luan, madje edhe gjatë stërvitjes, duhej me patjetër që t’i pasoje topin atij, ndryshe bëhej keq. Kur unë shënoja pa kombinuar me të, tërbohej. Nuk mund ta pranoja këtë gjë dhe zgjodha të largohesha. Preferova një skuadër ku të jem i lirë dhe jo të kem detyrë që të luaj për një futbollist tjetër”, thotë “El Pipita”.
Ai e tregon Ronaldon si një njeri që nuk do t’ia dijë për të tjerët. “Egoja që ka është shumë e madhe. Nëse nuk i thua që ti je futbollisti më i mirë, atëherë nuk je shoku i tij. Kristiano e mendon veten sikur është futbollisti më i zoti në botë, por unë gjykoj se aftësitë e tij janë të mbivlerësuara”, u shpreh argjentinasi.