Për serbët çështje kombëtare, për shqiptarët ndeshje futbolli
Derisa një pjesë e opinionit në Shqipëri ndeshjen kundër Serbisë mundohet ta vlerësojë vetëm si përballje sportive, në Serbi pranojnë se ndeshja që luhet më 8 tetor në Elbasan është çështje kombëtare.
Se ndeshja me Shqipërinë është çështje kombëtare për Serbinë e ka thënë të mërkurën edhe nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë i ngarkuar për Përfaqësuesen A, Savo Milosheviq.
Ish-futbollisti i njohur serb ka thënë se ndeshja me Shqipërinë është më e rëndësishmja e kualifikimeve. Milosheviq është shprehur i bindur për rezultat të mirë të Serbisë në Elbasan, shkruan kohaditore.
“Ndeshja me Shqipërinë është bërë çështje nacionale. Pjesa garuese e përfaqësueses për plasman në kampionatin evropian ka mbaruar, ne jemi pa gjasa, por kjo është ndeshja më e rëndësishme e kualifikimeve. Kjo duhet të pranohet”, u ka thënë Milosheviq të mërkurën gazetarëve serbë në Jagodinë.