Mavraj me zemër të thyer: Nuk luaj ndaj Serbisë
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj ka konfirmuar se nuk do të mund të jetë pjesë e kuqezinjve në sfidën e madhe kundër Serbisë.
Shqipëria dhe Serbia do të ndeshen të enjten mbrëma në “Elbasan Arena”, në ndeshjen vendimtare të Kombëtares sonë për kualifikim për Evropianin “Francë 2016”.
Mavraj përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e kësaj ndeshje për shkak se akoma nuk është shëruar plotësisht në lëndimi i pësuar kohë më parë, edhe pse ai thotë se ka sakrifikuar mjaft shumë që të jetë i gatshëm për përballjen me Serbinë.
Ja postimi i plotë i Mavrajt:
“Dita më e rëndësishme për Shqipërinë dhe Shqiptarët është shumë afër…Me zemër të thyer ju njoftoj që nuk mund të jem ne fushën e lojës pavarësisht të gjithë sakrificave që kam bërë pas operacionit!
Kam sakrifikuar gjithçka muajt e fundit. Jam stërvitur 8 orë në ditë, çdo ditë për muaj me radhë pa pushim, me synimin që të isha në fushë për Kombin kuqezi, por lajmet e këqija për mua nuk po marrin fund…
Për muaj me radhë lashë pas dore familjen dhe shoqërinë duke ju përkushtuar synimit që kisha…
Jeta ime muajt e fundit kishte vetëm një qëllim, të isha gati për këtë ndeshje, por me dhimbje e pranoj që nuk ja dola dot,megjithatë nuk jam dorëzuar sepse besimi im është shumë i madh tek djemtë kuqezinj dhe tifozë tanë që do ti tregojmë botës, pavarësisht se jemi një vënd i vogël kemi vlera të jashtëzakoshme!.“