Opinione

Enigma e shekullit: Çka i tha Dema Kadrisë?!

Shkruan:  Hamdi Nuhiju
Raportet politike në Republikën e Maqedonisë janë shndërruar në turbulenca të tilla që njeriu nuk mund t`ia gjej fillin. Ku është fillimi dhe ku fundi. Nëse të pyet dikush prej jashtë Maqedonisë një pyetje të thjeshtë: cili opsion politik është më i miri dhe më i përshtatshmi? Do të duhej rrëfyer menjëherë enigmën e parrëfyeshme dhe zbuluar të shekullit: Çka i tha Dema Kadrisë?! Ende sot e kësaj dite nuk e kemi kuptuar se çka i ka thënë Dema Kadrisë.

Edhe pse disa mund të trumbetojnë se së paku e dinë vendin se ku është takuar Dema me Kadrinë, megjithatë përsëri enigma ngelet e hapur. Kjo për arsye të kontestimit se Kadria me Demën a u takua me Sushiko, ose në ndonjë vend tjetër të panjohur për opinionin e brendshëm dhe atë rajonal.

Politika shqiptare në Maqedoni në periudhën parazgjedhore si duket është futur në një qorrsokak. Shqiptarëve iu janë errësuar sytë dhe po i duket larg drita e cila duhet t`i nxjerr nga errësira. Kujt t`i besojmë, me cilin të renditemi, kujt t`i vrapojmë pas? Këto pyetje tashmë kanë nisur që të shoshiten në odën e shoshitjes, kësaj shoshitje qëllimisht po i frynë partitë e organizuara me qëllim të krijimit të turbulencave më të mëdha dhe mos krijimit të një imazhi të qartësuar.

Flitet për moralin politik, për vetveten, për egon dhe thirret gjithmonë në egon dhe vetveten, ndërsa popullata shqiptare nuk ka nevojë për egon dhe vetveten e politikanëve, por për zhvillimin ekonomik, ndryshimin e gjendjes sociale, nacionale dhe infrastrukturore në vend.

Në mungesë të vizioneve të qarta të nxjerrjes së popullit prej errësirës në dritë, politikanët tanë po e mbushin kohën me demagogji, folklorizma dhe sintagma të pazbërthyeshme dhe të pakuptueshme edhe për vet politikanët.

Si rezultat i kësaj, shqiptari i Maqedonisë me 11 dhjetor të këtij viti do të ketë një mision të vështirë se a do të ketë mundësi që përfundimisht ta zgjidh enigmën shekullore: Çka i tha Dema Kadrisë?
Këto fraksione politike në fazën e krijimit të listave të kandidatëve për deputet dhanë shumë autogola për vetveten dhe shoqërinë. Nuk i dhanë shumë mundësi zgjedhjeje elektoratit shqiptar dhe bënë matematika të tilla që tregojnë qartas edhe ndasitë e tyre të brendshme ndërfraksionale.

Partitë politike shqiptare në vend se të merren me objektiva dhe zhvillimin e një platforme ekonomike, politike, sociale, nacionale, ata në disa vende ende nuk kanë njerëz për të caktuar në listat e tyre zgjedhore. Të tjerat merren me listat, me njëra-tjetrën, me sulme të ndërsjella, me folklorizëm të pabazë, duke u shndërruar në enigmë që zhduket pas 11 dhjetori të këtij viti.

Me 12 dhjetor të këtij viti, shqiptarët e Maqedonisë rrugën e tyre të mbijetesës nacionale, ekonomike, politike e sociale do ta kanë ende më të turbullt se tani. Kjo gjë po vërehet prej tani prej rrugëtimit të partive dhe fraksioneve politike shqiptare.

Fatkeqësisht thëniet e Demës për Kadrinë tek shqiptarët e Maqedonisë do të ngelin enigmë edhe për një kohë të gjatë.

Related Articles

Back to top button