Lajme

Karadaku i Preshevës, aty ku malet flasin si dëshmitar të kohës

Në Luginë ka shumë realitet jetësore që për interesa të caktuara fshihen. Janë realitete qe i prekim çdo ditë, që i trashëgojmë nga historia, por që nuk kemi dëshirë apo guxim ti pranojmë si dhe pse jo ti publikojmë për tua rikujtuar atyre që ndoshta i kanë harruar ose nuk i kanë përjetuar asnjëherë.

Ndoshta janë argumente që nuk na sjellin përfitime, por mos të harrojmë se të gjithë ne që përpiqemi të shkruajmë, në qendër të objektivave dhe temë kryesore në krijimet tona duhet të kemi njeriun, duke e përshkruar jetën e tij të zhveshur dhe të thatë ashtu siç dëshmohet me të vërtet, jo vetëm me realitete të bukura, me emocione pozitive, me vizione magjepse për të ardhmen, por edhe me dëshpërime, me mjerime, ku e ardhmja nuk është e sigurt dhe e garantuar.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për mjerimin e tejskajshëm që ekziston në disa zona të Malsisë si në Preshevë ashtu edhe në Bujanoc e sidomos në Medvegjë, ku kemi të bëjmë me të njëjtin mjerim migjenian, ku buka është privilegj dhe jo domosdoshmëri, kur dituria është ëndërr dhe jo realitet, ku jeta është monotoni dhe jo gjallëri e mbushur me emocione të bukura dhe me kujtime të çmuara.

Malësia e Karadakut të Preshevës është zonë kryesisht më reliev malorë, ku mbizotërojnë malet e larta si dëshmi të qëndresës së malësorit kundër pushtuesve të huaja si: dëshmitar të historisë së evoluimit të shoqërisë shqiptare mes sakrificave dhe mbijetesës.

Dikush nga ju mund të pyes se si e bëjnë jetën banorët e këtyre zonave? Unë, do të thoja se ato realisht nuk jetojnë por përpiqen te jetojnë. Kjo do të thotë se përpiqen të jetojnë për inerci, sepse kushtet nuk janë as të kënaqshme dhe as të pranueshme.

Zoti, ju ka dhuruar një natyrë të mrekullueshme me shumë burime ujore të kristalta dhe të ftohta, ju dhuroj pyje të gjelbra, ju dhuroj një mençuri të mrekullueshme natyrore, ju dhuroj një tokë të begatë me minerale dhe me vlera të rralla ushqyese.
Banorët e këtyre zonave edhe pse kishin gjithë këto të mira të natyrës, nuk kishin atë më thelbësoren përkujdesjen e institucioneve Komunale. Kjo ka bërë që koha të ec thjeshtë në konceptin kalendarik dhe jo e shoqëruar me proceset e modernizimit shoqëror për të ndryshuar kushtet dhe mënyrën e të jetuarit.

Kam dëgjuar se shumë njerëz janë detyruar ti kalojnë me vështirësi rrugën në mes të dimrit për të shkuar në vendin e punës.
Kam dëgjuar se nxënësit më të mirë dhe më të zot nuk mund të fitonin bursat më të mira të shkollimit.

Pas luftës së zhvilluar viti 2001 solli shpresën e madhe dhe për zonat malore si dhe për malësorët e ndershëm, duke shpresuar se më në fund dhe zhvillimi dhe modernizimi ti prekte nga afër duke ju dhuruar mirëqenie. Realiteti i ndërtuar dhe i sapo nisur ishte një zhgënjim i radhës për banorët e këtyre zonave, sepse jo vetëm që nuk solli metamorfozën e modernizimit, por solli emigrimin e jashtëm dhe të brendshëm si e vetmja rrugë për tu larguar nga mjerimi në kërkimin e jetës normale.

Shumë familje malësore më në fund patën në duart e tyre një shans për tu larguar nga vendbanimet e tyre drejt të ardhmes të paqartë dhe plotë mundime dhe vështirësive të reja. Kjo ishte e vetmja risi që u bë e pranishme në fatet e tyre të jetës në ndryshim me të kaluarën e izolimit të plotë.

Kështu shumica e tyre të detyruar nga mungesa totale e infrastrukturës, të shërbimit shëndetësor, të telekomunikacionit, të arsimit, të punësimit me pak fjalë të kushteve minimale për të ndërtuar të ardhmen e ëndërruar, morën vendimin që nuk e kishin marrë asnjëherë më parë, as në periudhat e luftërave dhe invazioneve për të braktisurat shtëpitë e tyre, vendin e të parëve, vatrën e trashëguar brez pas brezi për tu larguar drejt Kosovës dhe vendeve europiane.
Megjithatë, një numër familjesh të lidhur fortë me traditën dhe me tokën nuk mundën që ta thyenin këtë tabu dhe pranuan më mirë mjerimin dhe mbajtjen e trojeve të trashëguar nga të parët se sa ndoshta shpresën e jetës më të mirë.

Fenomeni i shpërnguljes solli braktisjen e fshatrave të tërë, ku në rrugët e tyre më parë dëgjoheshin zërat ë fëmijëve, kurse sot kanë ngelur vetëm gjurmët e tyre në baltë si dëshmi se aty kohë më parë ka pasur jetë, kullat që më parë ishin të kuvenduara me malësor mikpritës, bujar dhe të besës tani ngjajnë si muze të një periudhe që kohë më parë është jetuar, por që tashmë mbetet si relik e vendosur në historinë e demografisë njerëzore.

Nëse më parë gjatë natës dritat e shtëpive tregonin se sa shumë të populluar ishin fshatrat e këtyre zonave, sot është e vështirë të gjesh ndonjë dritë shtëpie që vezullon ne mesin e natyrës së qetë dhe të botës së harruar. Është njësoj sikur të mundohesh të shikosh në një natë pa hënë dhe më vranësira, yjet në qiell, ku maksimumi në horizontin e shikimit mund të arrish të dallosh me shumë mundime dy tre yje.
Tani një fëmijë i një fshati, ku ka mbetur vetëm një shtëpi duhet të ec me orë të tëra që të takoj një bashkëmoshatar të tij për të luajtur dhe në rast se: gjatë rrugës rrëzohet dhe vritet papritmas, i duhet të rezistoj, duke duruar dhimbjen, derisa babai i tij të kërkoj dhe të gjej ndonjë makinë që mund ta dërgoj në ambulancë, nëse është me fat dhe babai ka gjetur makinën duhet të rezistoj derisa të mbaroj udhëtimi i gjatë nga zona e tij deri tek ndihma emergjente në Preshevë. Nëse nuk arrin që të kombinohet të gjithë këto faktor në favor të shërimit të tij, atëherë duhet ti lutet zotit që ti bëj mëshirë dhe t’ia fal jetën edhe kësaj radhe.

Në mëshirën e fatit në këto zona janë dhe nga institucionet e arsimimit bashkë më grupin pedagogjik që kanë në gjirin e tij. E kam fjalën për shkollat e nivelit të arsimit fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm. Në shekuj malësorët janë shquar për nivele të larta të inteligjencës natyrore, por që të jesh në një hap me kohën nuk mjafton vetëm kaq, duhet të fillosh të mësosh të shkruash, të lexosh dhe pastaj hap pas hapi të kuptosh në formë shkencore proceset që ndërtojnë kompleksin jetë.

Pra, është i domosdoshëm ndjekja dhe frekuentimi i shkollës. Juve më të drejtë mund të kërkoni të dini në çfarë niveli janë shkollat në këto zona? Pjesë më e madhe e stafit pedagogjik nuk është me arsim dhe kualifikim përkatës, kjo nuk ka ndodhur se në këto zona nuk ka intelektual dhe mësues të merituar, por të gjithë të merituarit dhe më të kualifikuarit janë larguar në emigrimin e brendshëm dhe të jashtëm. Mund të ndodh që dikush që sapo ka mbaruar shkollën e mesme të filloj të jap mësim. Atëherë car mund të pritet nga një panoramë e tillë? Sigurisht që jo një brez i përgatitur dhe i pajisur me kapacitete të forta intelektuale!

Familjet e mbetura ndihmë të vetme e kanë asistencë sociale si për shembull 12.000 dinarë në muaj. Me një shumë të tillë sot nuk mund të kryhet asnjë nevojë. Prindërit e tyre nuk mund të sigurojnë qoftë edhe rrobat për fëmijët dhe jo më pastaj të mendohet që t’iu garantojnë librat dhe mjetet didaktike që ju duhen për mësuar në shkollë.

Kjo është situata e vërtet që faktetsisht përjetojnë në jetën e përditshme banorët e këtyre zonave. Mjerimin e tyre me rënien e perëndimit e dëshmojnë malet e larta të këtyre zonave të thella, ku me hijen e tyre të rëndë dëshmojnë një jetë të varfër dhe të heshtur, ku natyra vendos fatet dhe përcakton të ardhmen e tyre.

Në mbrëmjen e heshtur malet si dëshmitar shekullor fillojnë të tregojnë dhe të flasin për historinë dhe për problemet e këtyre zonave, sepse askush nga ato që duhet ta bëjnë një gjë të tillë nuk e bëjnë.
Janë pikërisht këto male, ku malësorët kanë vënë ndër shekuj banimet e tyre, janë këto male që shumë herë kanë qenë mburojë e vërtet nga rreziqet e sulmeve armike. Më mirë se këto male askush nuk i njeh problemet dhe vështirësitë e këtyre të banorëve të braktisur nga koha moderne, nga industrializimi, nga Politika, të lënë në mëshirën e fatit dhe të natyrës. Shpresojmë që të paktën natyra me ligjet e saj të jetë e mëshirshme për këto banor ashtu siç ka qenë deri tani, duke lënë që monotonia të rrjedh e qetë në karvanin jetësor.

© Presheva.AL  Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Related Articles

Back to top button