Religjioni

Agjërimi, adhurim që është kërkuar edhe prej popujve të tjerë

Njësimi i Allahut është e përbashkëta e profetëve siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Nuk kemi dërguar ndonjë Profet para teje veçse i kemi shpallur se: ‘Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Meje, pra më adhuroni!’”

Dhe ata përveç njësimit kanë pasur edhe të përbashkëta të tjera në disa punë si: namazi dhe agjërimi. Agjërimi është përmendur në këtë ajet kurse namazi është përmendur në historinë e Musës alejhis selam, kur i Allahu i thotë atij: “Unë të kam zgjedhur ty prandaj dëgjo me vëmendje se çdo të shpallet. Unë jam Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Meje, prandaj kryeje namazin për përkujtimin Tim” Suretu Taha: 13-14.

Mirëpo këto të përbashkëta që kanë lidhje me punët, edhe mund të ndryshojnë në mënyrën, kohën, numrin dhe në lehtësinë apo vështirësinë e kryerjes. Prandaj dhe Profeti alejhis selam thotë: “Profetët janë vëllezër nga babai. Feja e tyre është një dhe nënat janë të ndryshme”.

Fjala e tij ‘nënat janë të ndryshme’ do të thotë: rregullat e adhurimit – jo të besimit – mund të ndryshojnë siç u tha më lart në mënyrë, kohë, numër, vështirësi etj. dhe pikërisht këtë gjë ka dashur të sqarojë Allahu në Kuran kur ka thënë: “Secilit prej tyre (profetëve) i kemi bërë ligje dhe rregulla (të veçanta)”.

Ngjasimi në agjërim është – siç thonë shumë komentues të Kuranit – agjërimi i tre ditëve në çdo muaj, i cili ka qenë detyrë që nga Ademi e deri te Profeti ynë, gjë e cila u anulua me vonë kur u bë detyrë agjërimi i Ramazanit, por që vazhdon të jetë e pëlqyeshme dhe jo detyrë.

Është thënë gjithashtu se ngjasimi në agjërim është në vetë Ramazanin. Es-Sudij (një prej komentuesve të Kuranit i vdekur 127 h) thotë: “Ju vështirësua të krishterëve agjërimi i Ramazanit sepse binte edhe në dimër edhe në verë, dhe kur ndodhi kjo gjë ranë dakord ta fiksojnë agjërimin e tyre në stinën mes dimrit dhe verës dhe vendosën të shtojnë edhe njëzet ditë si shlyerje për ndryshimin” diçka të përafërt me këtë që u tha është treguar edhe nga Sha’biu.

Ndërsa prej ndryshimeve në agjërim është syfyri, siç thotë Profeti alejhi selam: “Ndryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ehli kitabit është syfyri”.

Pra agjërimi i tyre ishte pa syfyr, nga iftari në iftar, gjë e cila ka qenë edhe tek ne në fillim të Islamit, por që u anulua dhe u bë nga agimi në perëndim ose nga syfyri në iftar.

Po ashtu edhe iftari nuk ka qenë në të njëjtën kohë me ne, siç thotë Profeti alejhi selam: “Feja do vazhdojë të jetë e dukshme (pjesë e jetës së njerëzve) derisa njerëzit e shpejtojnë iftarin (ta çelin menjëherë pas perëndimit) sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë”.

Sot çifutët dhe të krishterët agjërojnë (abstenojnë) ndaj disa lloje ushqimesh dhe jo ndalim të plotë nga ngrënia dhe pirja. A është edhe kjo prej ndryshimeve që i ka bërë Allahu në rregulla, apo prej ndryshimeve të tyre, këtë vetëm Allahu e di më së miri.

Related Articles

Back to top button