Ministri gjerman i thotë Pacollit: Kufijtë nuk lëvizin, ky është qëndrimi i Merkelit
Minisitri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar sot në margjina të OKB’së, homologun e tij gjerman Heiko Mass. Ministri gjerman i ka kujtuar Pacollit qëndrimin e Merkel se kufijtë e Kosovës nuk do të ndryshojnë.
Po ashtu ministri Mass i ka konfirmuar Pacollit qëndrimin zyrtar të Gjermanisë në lidhje me marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, pra qëndrimin i kancelares Angela Merkel nuk ndryshon në lidhje me këtë proces.
Pacolli ka thënë se ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass, ka folur për ecurinë e dialogut me Serbinë si dhe i ka kërkuar ndihmë për liberalizimin e vizave për Kosovën, antarësimin në INTERPOL.
Postimi i plotë i Pacollit:
E takova për herë të dytë gjatë UNGA-s, ministrin gjerman të punëve të jashtme Heiko Mass. Në këtë takim zyrtar që patëm në selinë e misionit gjerman në OKB, i shpreha homologut tim, mirënjohjen për rolin gjerman në ndaljen e genocidit, në ndërtimin e shtetit të Kosovës, në mikpritjen e diasporës së madhe kosovare, plotësisht të integruar në vendin e tij.
E informova zotëri Heiko Mass me ecurinë e dialogut me Serbinë dhe ai më rikonfirmoi pozicionin e Kancelares Merkel, që e sheh zgjidhjen përfundimtare në përputhje me vlerat europiane, si zgjidhje stabilizuese për dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. I kërkova një konvergjencë më të madhe të Gjermanisë me SHBA-të në lidhje me dialogun, duke patur parasysh se vendi i tij është vend udhëheqës i Bashkimit Europian.
Kërkova ndihmë për liberalizimin e vizave, Interpol-in, dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit. Më garantoi se për këtë çështje do të veprohej shumë shpejt sipas modelit që Gjermania miratoi me Maqedoninë.
Gjermania mbetet si gjithmonë mbështetëse e madhe e Kosovës dhe ne nuk mund të mendojmë përparimin tonë pa mbështetjen e këtij shteti mik dhe Kancelares Merkel !