Lajme

Truri i femrave është gjithmonë 3 vjet më i ri, ja pse!

Koha që kalon nuk u jep mundësi të barabarta burrave dhe grave. Në aspektin metabolik, madje edhe kur mosha është e njëjtë, truri femëror shfaqet rreth 3 vjet më i ri se ai mashkullor.

Kjo u demonstrua nga një grup shkencëtarësh nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit në St Louis, SHBA, në një studim të botuar online në revistën “Pnas”. Sipas autorëve të studimit, të dhënat mund të shpjegojnë se pse, ndërsa plaken, gratë mbeten mentalisht më aktive se burrat.

Prof.Manu Goyal dhe kolegët e tij ndoqën 205 persona (121 gra dhe 84 burra, të moshës nga 20 deri në 82 vjeç), të cilët iu nënshtruan një testi Pet të ndjekur nga llogaritjet e inteligjencës artificiale. Studiuesit zbuluan në mënyrë të veçantë mënyrën se si truri digjte “benzinën” e tij: sheqerin. Është i njohur fakti se, me avancimin e moshës, reduktohet sasia e sheqernave të metabolizuara në tru përmes procesit që njihet me emrin glikoliza aerobike.

Duke përdorur një algoritëm të trajnuar për të ndërlidhur moshën dhe metabolizmin e trurit në bazë të të dhënave të mbledhura te femrat, studiuesit gjetën se mosha mesatare e trurit ishte 3.8 vjet më e vogël se ajo reale. Eksperimenti u bë edhe për meshkujt duke trajnuar algoritmin me të dhënat e femrave dhe ka dalë një moshë mesatare e trurit prej 2.4 vjet më e madhe sesa ajo reale.

“Ndryshimi mesatar në moshën e trurit të llogaritur midis burrave dhe grave është i rëndësishëm dhe i riprodhueshëm”, thotë Goyal, i cili shton se kjo nxjerr në pah dallimet mes dy gjinive.

Megjithatë, studiuesit e shohin me vend të bëjnë një sqarim teknik në këtë pikë. “Arsyeja nuk është se truri i meshkujve plaket më shpejt se ai i femave. Çështja është se meshkujt hyjnë në moshën e rritur rreth 3 vjet më të mëdhenj dhe kjo diferencë mbetet përgjatë gjithë jetës”.

Tani mbetet për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo, por një nga hipotezat është se “arsyeja pse gratë nuk përjetojnë të njëjtin rënie të aftësive konjitive si burrat me kalimin e viteve është pikërisht fakti që truri i tyre është në të vërtetë më i ri”.

Related Articles

Back to top button