Lajme

TË PËRÇARË THEMELUAN ASOCIACIONIN E KOMUNAVE SHQIPTARE

Këshilltarët komunalë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kanë miratuar me unanimitet themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës.

Në mbledhjen e përbashkët të këshilltarëve komunalë ishin të pranishëm 43 këshilltarë, ndërsa mbledhjen e bojkotuan dy partitë opozitare – Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.
Në mbledhjen e mbajtur në Kuvendin e komunës së Preshevës u tha se asociacioni po themelohet në shenjë reciprociteti me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Drejtuesit e partive shqiptare në Luginë akuzuan pushtetin serb se nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës, madje me dhunë dhe terror kanë tentuar të largojnë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.
Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha para këshilltarëve komunalë të Luginës se sot është ditë historike, sepse këshilltarët komunal të kuvendeve të tri komunave me shumicë shqiptare kanë mbështetur miratimin e një vendimi historik, i cili hap rrugë proceseve politike jo vetëm në Luginë, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Evropë dhe instanca tjera ndërkombëtare.
Ai tha se Asociacionin po e themelojnë si reciprocitet ndaj themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kreu i Preshevës, theksoi se çdo ditë janë nën trysninë e vazhdueshëm si të deklaratave kërcënuese të politikanëve në Beograd, e lere më për veprimet e tyre me të cilat asnjëherë nuk kanë bërë që shqiptari të ndihet komod, i lirë, i barabartë me të tjerët.
Më i ashpër në qëndrime ishte kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu, sipas të cilit qëllimi kryesor i Serbisë ka qenë pastrimi etnik dhe marrja e tokave shqiptare. Ai tha se asnjëherë Serbia nuk është interesuar që t’i zgjidh problemet e shqiptarëve, edhe pse kërkuan edhe në vitin 1968, 74-tën, 81-shën, 99-tën, 2001, dhe me 2006.
Musliu nuk la pa kritikuar edhe Bashkësinë Ndërkombëtare, për të cilën tha se nuk mund të funksionoj me dy standarde, ndryshe për serbët në Kosovë, e ndryshe për shqiptarët e Luginës.
Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës (BDL) Skënder Destani, tha se partia e tij e mbështetë themelimin e Asociacionit, ndonëse ai personalisht është kundër themelimit të asociacioneve etnike. Madje, tha se është edhe kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka kritikuar përçarjen e spektrit politik në Luginë, duke shprehur skepticizmin nëse do të mund të zbatohet ky vendim, nëse edhe këshilltarët e dy partive opozitare, PVD-së dhe UDSH-së nuk do t’i bashkohen këtij Asociacioni.
Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi tha se propozim drafti për themelimin e Asociacionit është i bazuar në të drejtën universale për të drejtat e njeriut që është miratuar qysh në vitin 1948, në përputhje me referendumin e vitit 1992 dhe marrëveshjen e Konçulit të viti 2001. Ai shtoi tha se themelimi i Asociacionit erdhi pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku serbët e Kosovës do të themelojnë Asociacionin e tyre.
Pas miratimit të vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginën e Preshevës, do të formohen edhe organet tjera, për të hartuar statutin e Asociacionit dhe të gjitha funksionet tjera. KosovaPress

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button