Mbahet mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri: Në fokus diaspora, rendi publik dhe parandalimi i zjarreve

Subjekti i sigurisë dhe rendit publik në territorin e Komunës së Preshevës ishte tema kryesore e mbledhjes së radhës të Këshillit Komunal për Siguri dhe Parandalim të Kriminalitetit, e cila u zhvillua nën udhëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Komunal, dr. Agim Sabedini.
Gjatë takimit, anëtarët e këshillit dhe përfaqësuesit e institucioneve përkatëse shqyrtuan në detaje gjendjen aktuale të sigurisë në qytet, si dhe situatën specifike në Kampin e Refugjatëve.
Masat për ardhjen e diasporës dhe kontrollin kufitar:
Me fillimin e fluksit të bashkatdhetarëve nga diaspora, institucionet komunale diskutuan koordinimin ndërinstitucional për të garantuar lëvizje të sigurt dhe mbarëvajtje të komunikacionit gjatë këtij sezoni.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua administrimit të pikave dhe hyrje-daljeve në vijën administrative kufitare, me qëllim forcimin e masave parandaluese për ruajtjen e rendit.
Thirrje për përgjegjësi ndaj mjedisit dhe rrezikut nga zjarret:
Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë gjatë kësaj periudhe, Këshilli lëshoi një apel të veçantë drejtuar të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar ndaj mjedisit.
U bë thirrje për shmangien e çdo veprimi që mund të shkaktojë vatrat e zjarrit, pasi kushtet atmosferike rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së shpejtë dhe daljes së tyre jashtë kontrollit.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi të lartë qytetare dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e sigurisë dhe mjedisit në komunën tonë”, u theksua gjatë mbledhjes.
