“Kallashi”, valltarja e Kobra Cityt me 21 vepra penale dhe në liri (Video)
Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, sezonin e sivjetmë e nisi me një hulumtim ekskluziv që tregon se si valltarja Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën “Kallashi”, dhe personat që i qëndrojnë afër asaj, po u sjellin telashe Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Prizrenit.
“Drejtësia në Kosovë” solli të gjeturat nga terreni që tregojnë se Donjeta Kasumi e Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, përkundër faktit se kanë dhjetëra kallëzime penale po e ushtrojnë biznesin të lirë.
Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, drejtori i Policisë për Regjionin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka mjaft kritika për mënyrën e trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me Kallashin, Dibran Hoxhën dhe personat tjerë të cilët punojnë në lokalin “Kobra City”.
Krasniqi ka thënë se Donjeta Kasumi i ka të regjistruara në databazën e Policisë 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprave penale, ndërsa Dibran Hoxha me mbi 150 raste të regjistruara.
Sado që të njohur si recidivistë, Prokuroria dhe Gjykata po i liron edhe në rastet sikurse ai i datës 21 gusht 2015, kur persona të afërt me Kallashin u përfshinë në një rrahje e ku mbetën të lënduar dy persona. Atë natë, në lokalin “Kobra City”, me pronare Donjeta Kasumin, u gjetën armë dhe mjete tjera të ndaluara.
Drejtori Nexhmi Krasniqi ka treguar se Policia ka kryer shumë operacione në lokalin “Kobra City”. Sipas tij, grupi që shkojnë pas Kallashit kanë një histori të njohur kriminale për Policinë e Kosovës, por edhe për Prokurorinë dhe Gjyqësinë. Madje, sipas Krasniqit, kanë pasur takime rreth këtij grupi edhe me ndërkombëtarë, si EULEX-i që është interesuar se çka është duke ndodhur.
Hulumtimi i ekipit të emisionit Drejtësia në Kosovë tregoi se nga të gjitha këto raste të iniciuara nga ana e Policisë ndaj Kallashit dhe Dibran Hoxhës, numri i lëndëve që kanë arritur në Gjykatë mund të numërohet në gishta.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, tregoi se Dibran Hoxha dhe perona të tjerë që shoqërohen me Donjeta Kasumin i kanë nëntë raste të evidentuara në këtë Gjykatë që janë gjykuar dhe dy të tjera janë në procedurë. Një rast tjetër, ai i rrahjes së 21 gushtit, ndodhet në procedurë paraprake.
Në anën tjetër, Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, thotë se secilin rast që e pranojnë nga Policia, Prokuroria e trajton konform ligjit.
“Ndaj Dibran Hoxhës, në Prokurorinë Themelore janë evidentuar gjithsej 84 raste. 61 kallëzime penale ndaj Dibran Hoxhës janë përfshirë në një lëndë penale e që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004… Aktualisht jemi duke hetuar edhe katër kallëzime penale të cilat kanë të bëjnë me këtë person”, ka thënë kryeprokurori Sylë Hoxha.
Ai nuk i komentuar deklaratat e drejtorit të Policisë dhe as të kryetarit të Gjykatës se si në rastet që shkojnë në gjykatë për Kallashin dhe Dibran Hoxhën, nuk figuron e kaluara e tyre kriminale.
Donjeta Kasumi, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, nuk e dinte se në Policinë e Kosovës i ka ta regjistruara 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprës penale.
Ndryshe nga Kallashi, shoqëruesi i saj Dibran Hoxha e di se ka një numër të madh të rasteve të hapura në Polici, Prokurori e në Gjykatë. Por, siç tregoi për emisionin Drejtësia në Kosovë, veprat e tij nuk janë kriminale.
Dibran Hoxha ka treguar se në lokalin Kobra City mysafirë janë edhe zyrtarë shtetërorë dhe se cilësimet e Policisë se në atë lokal bëhen krime nuk qëndrojnë.