Shaip Kamberi dorëzon iniciativë për tabela të regjistrimit me emrin e komunës së Preshevës

Deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar një iniciativë zyrtare për të paisur komunën e Preshevës me tabela të veçanta të regjistrimit të automjeteve, një hap që synon të njohë dhe të respektojë identitetin dhe simbolet e komunës.
Sipas dokumentit të dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në komunën e Preshevës janë të regjistruar 12.387 automjete, ndërsa numri i banorëve rezidentë është 33.449, dhe së bashku me banorët jorezidentë, komuna ka gjithsej 59.024 banorë. Këto të dhëna e bëjnë të arsyeshme vendosjen e një regjistrimi të veçantë për komunën.
“Presheva, njësoj si komunat e tjera, meriton të identifikohet me emrin e vet. Është plotësisht e domosdoshme që simbolet e komunës, përfshirë tabelat e regjistrimit, të jenë të pranishme ashtu si në çdo komunë tjetër të Serbisë,” deklaroi Kamberi.
Iniciativa ka për qëllim përmirësimin e administrimit të automjeteve, duke lehtësuar identifikimin sipas territorit, dhe moskrijimin e barrës shtesë për qytetarët, pasi pronarët e automjeteve nuk do të jenë të detyruar të ndryshojnë tabelat deri në skadimin e regjistrimit aktual.
Ky hap vjen si një përpjekje për trajtim të barabartë dhe respekt të identitetit lokal, duke reflektuar rëndësinë e njohjes së Preshevës si komunë me të drejta dhe simbole të plota administrative.

