Shpenzime marramendëse në Komunë:Gjysmë milioni dinarë për kafe – Visar Memeti akuzon pushtetin lokal për abuzim

Një reagim i ashpër ka ardhur nga kryetari i APN-së në Preshevë, Visar Memeti, i cili ka akuzuar pushtetin lokal për shpenzime të papërgjegjshme të parasë publike.
Sipas tij, pushteti lokal ka shpenzuar rreth gjysmë milioni dinarë vetëm për kafe, duke i cilësuar këto si mjete të taksapaguesve të qytetarëve të Preshevës. Memeti thekson se, ndërkohë që qyteti përballet me probleme infrastrukturore dhe mungesë investimesh, zyrtarët komunalë po përdorin buxhetin për nevoja personale gjatë orarit të punës.
“Edhe kafen që e pinë nuk e paguajnë nga xhepi i tyre, por nga taksat e qytetarëve”, është shprehur ai, duke e quajtur këtë sjellje si papërgjegjësi dhe mungesë prioritetesh ndaj nevojave reale të komunës.
Ky reagim pritet të ndezë debat në opinionin publik, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë sqarim zyrtar nga pushteti lokal lidhur me këto pretendime.
