Zvogëlimi i interesit të qytetarëve për vaksinim

Edhe pse numri i të infektuarve rishtazi me koronavirus në Austri është ende i lartë, gjithnjë e më pak njerëz po vaksinohen.
Kështu, të dielën në atë vend vaksinën kundër koronavirusit e kanë marrë vetëm 719 persona, prej të cilëve 38 kanë marrë dozën e parë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Që nga pezullimi i përkohshëm i zbatimit të Ligjit për vaksinimin e detyrueshëm, gatishmëria e qytetarëve për t’u vaksinuar ka rënë në mënyrë drastike.
Sipas Ministrisë, së paku një vaksinë deri më tani kanë marrë 6.814.128 qytetarë, ndërsa dozën e tretë 4.783.345.
Shkalla e vaksinimit me dozën e parë është 75,9 për qind, me dozën e dytë 73 për qind dhe me të tretën dozën përforcuese 53,5 për qind. Ekspertët shprehen të shqetësuar për rënien e interesit për vaksinimin, duke theksuar se në vjeshtë mund të pasojë një valë e re infeksioni dhe më pas qytetarët të mos mbrohen nga një sëmundje e rëndë.