Sadete Presheva dekorohet me Medalje Presidenciale të Meritave (post mortem)

Presidentja e Republikës së Kosovës ka dekoruar me medalje presidenciale poeteshën nga Lugina e Preshevës, tashmë të ndjerën Sadete Presheva.
Medalje Presidenciale e Meritave: Për rolin në letërsinë shqipe dhe kontributin e çmuar si autore dhe profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Çmimin e mori bashkëshorti i saj, ku në një shkrim tha: “Sot është një ditë krenarie dhe mirënjohjeje për familjen tonë. Bashkëshortja ime e ndjerë dhe nëna e fëmijëve të mi Sadete Presheva ishte një zë i fuqishëm i gruas shqiptare në një kohë kur ky zë rrallë dëgjohej. Përmes poezisë së saj, ajo mbrojti dinjitetin e femrës, forcën e familjes dhe shpirtin e popullit tonë.
Ky çmim nuk është vetëm një nderim për veprën e saj, por edhe një kujtesë se fjala e saj vazhdon të jetojë.
Presidencën e falënderojmë për këtë vlerësim që e bën edhe më të pavdekshme trashëgiminë e saj”.
