Vllaznim Behluli zgjidhet kryetar i ri i OVL-së së UÇPMB-së në Preshevë

Dje më datë 30 qershor 2025 në Preshevë u mbajt Kuvendi i IV-të Zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (OVL e UÇPMB-së), ku me shumicë votash u zgjodh kryetari i ri i kësaj organizate – Vllaznim Behluli.
Behluli, ish-ushtar i UÇPMB-së, mori besimin e delegatëve për të udhëhequr organizatën në një mandat të ri, duke premtuar përkushtim, ndershmëri dhe angazhim për ruajtjen e vlerave të luftës. Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, ai tha se do të punojë në përputhje me statutin dhe parimet e OVL-së, dhe do të fokusohet në përkrahjen e brezave të rinj në përballje me sfidat aktuale.
Kuvendi, i cili u zhvillua në një atmosferë uniteti dhe përgjegjësie, zgjodhi gjithashtu z. Qenan Abazi si nënkryetar të OVL-së dhe përbërjen e re të Kryesisë.
Një moment i veçantë gjatë punimeve të kuvendit ishte nderimi i ish-kryetarit Nazmi Hajredini me një mirënjohje për kontributin e tij gjatë mandatit të kaluar. Në fjalën e tij, Hajredini theksoi se:
“Lufta jonë nuk përfundon me ndalimin e armëve. Ajo vazhdon përmes betejës për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për kujtesën historike dhe për bashkimin kombëtar. Kauza jonë është më e madhe se çdo pozitë apo interes afatshkurtër.”
Në përfundim, Kryesia e re e OVL-së së UÇPMB-së bëri thirrje për bashkim të të gjithë anëtarëve dhe shoqërisë në përgjithësi, për nderim të përhershëm ndaj dëshmorëve dhe ruajtje të trashëgimisë së luftës çlirimtare.
