Sinani: Pavarësia e Kosovës dëshmi se asgjë nuk është e pamundur – Forca e saj është shpresë për çdo shqiptar

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës përmes një postimi në Facebook, duke theksuar rëndësinë historike dhe politike të kësaj dite për gjithë kombin shqiptar.
“Pavarësia e Kosovës është dëshmi se kur një popull beson në liri, në drejtësi dhe në barazi, asgjë nuk është e pamundur. Është fryt i sakrificës, por edhe i vizionit për një shtet demokratik, të barabartë dhe me orientim të qartë euro-atlantik”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka theksuar se kjo ditë e gjen Kosovën dhe Luginën e Preshevës të lidhura fort, jo vetëm nga historia e përbashkët, por edhe nga përgjegjësia për të ndërtuar institucione të forta, arsim cilësor, ekonomi të zhvilluar dhe më shumë mundësi për të rinjtë.
“Forca e Kosovës është shpresë për çdo shqiptar kudo që jeton. Një Kosovë më e drejtë, më e zhvilluar dhe më e qëndrueshme është garanci për stabilitet në rajon dhe perspektivë më të sigurt për Luginën tonë”, ka shtuar ajo.
Postimi i saj është shoqëruar me një fotografi nga parada e Forca e Sigurisë së Kosovës në shesh, një simbol i forcimit të institucioneve të sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Në fund të mesazhit, Sinani ka bërë thirrje që përvjetori të festohet me krenari, por edhe me vendosmërinë për të punuar çdo ditë për më shumë zhvillim, barazi dhe mirëqenie.
“Urime Dita e Pavarësisë!”
