A shpëtuam për një fije floku nga lufta

Opozitari i njohur serb, Sasha Jankoviq, në një intervistë për Tv Gjazira Ballkans, ndër të tjera ka thënë edhe këto fjalë shokuese: “ Ka ekzistuar, në fakt, skenari për një konflikt të kufizuar në Kosovë, pas të cilit të dyja opinionet publike do të pranonin ndarjen, si zgjidhje më e mirë nga konflikti total. Por, mendoj që ai skenar tash humb pëkrahjen e domosdoshme, së paku të njërit nga akerët e mëdhenj botëror.” Natyrisht që nuk e di çfarë informatash ka ky person, por fakti që ka qenë Ombudsperson në Serbi dhe kandidat për president dhe që është një opozitar i vendosur ndaj Vuçiqit, e bën më të besueshme deklaratën e tij.

Në kohën kur ndodhnin provokimet serbe me murin në Mitrovicë, me trenin rus, me ardhjet ilegale dhe arrestimin me spektakël televiziv të Gjuriqit, me fjalimin millosheviqian të Vuçiqit në Gazivodë, me lojërat retorike me Luginën e Preshevës, kam shkruar disa herë se po përgatitej një skenar sirian për Kosovën. Ka qenë thjesht produkt i analizës. Ndërsa tash opozitari serb po e konfirmon.

Në fakt, në një mënyrë e ka konfirmuar edhe presidenti Tramp, i cili duke folur për ish këshilltarin e tij për siguri, Xhon Bolltonin, zbulon se ai për çdo gjë thoshtë: “Shkojmë në luftë!” Jam i bindur se nga lufta, e cila do të shndërronte Kosovën në një Siri të dytë, kemi shpëtuar për një fije floku. Skenari ka qenë i shpalosur: çdo tentim për shkëmbim territoresh, do të shfrytëzohej nga Serbia dhe Rusia për ta nxjerrë konfliktin jashtë kontrollit e do ta shndërrtonte Kosovën në një Siri të Ballkanit. Prandaj, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm, sepse skenarët mund të jenë ende në sirtarët e ndokujt. Skenarët e tillë janë si virusët anaerobë, të cilët sapo të marrin kontakt me ajrin, rrisin virulencën dhe bëhen vrastarë. Për këtë arsye, definitivsht dhe urgjentisht na duhet një elitë politike e përgjegjshme, që nuk prishë aleanca, nuk hyn në aventura, nuk bën idiotizma. Dhe na duhet një popull që ia di hallin vetes dhe nuk e han sallamin për djathë. Sepse nëse e han, mandej mund të ketë të vjella, siç edhe ka pasë jo pak herë. (19 nëntor 2020).

Check Also
Close
Back to top button