Vuçiq pranon humbjen: “Është e qartë se ne i humbëm këto zgjedhje”

Bartësi i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandër Vuçiq, ka pranuar se partia e tij i ka humbur zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi.

Duke folur nga shtabi zgjedhor i listës, Vuçiq tha se rezultatet përfundimtare ende nuk dihen, por se sipas mostrës së tyre është e qartë që i kanë humbur zgjedhjet. Sipas tij, kundërshtarët kanë marrë rreth 2,2 milionë vota, ndërsa lista e tij pritet të ketë rreth 105 deputetë në Kuvendin prej 250 ulësesh.

Vuçiq akuzoi kundërshtarët se kanë gënjyer gjatë fushatës, duke përmendur rastin e “topit zanor” dhe Jovanjicën, por tha se është krenar për atë që kanë bërë. “Do të luftojmë”, deklaroi ai.

Këto janë zgjedhjet e para pas vitit 2012 në të cilat Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit pranon humbjen. Rivalja kryesore e saj ishte Lista Studentore, e dalë nga lëvizja e protestave të muajve të fundit.

Rezultatet zyrtare do t’i shpallë Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.

Back to top button