Shaip Kamberi pas rezultatit: Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona

Bartësi i listës “Koalicioni Shqiptar”, Shaip Kamberi, e ka cilësuar si “arritje historike” rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku sipas rezultateve paraprake shqiptarët sigurojnë dy mandate dhe janë në garë për të tretin.

Sipas Kamberit, Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.230 vota, të cilat me rritjen prej 35 për qind për listat e pakicave kombëtare kanë vlerë llogaritëse prej 36.761 votash.

Ai e quajti këtë rezultat fryt të bashkimit politik, të besimit të qytetarëve dhe të përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz.

“Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij”, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai e mbylli mesazhin me thirrjen: “Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”

Sipas projeksionit të CeSID-it, dy mandatet u takojnë Kamberit dhe Visar Mehmetit. Rezultatet zyrtare do t’i shpallë Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.

Back to top button