Lajme

Refugjatët e përjetshëm

“Ah moj loke, çfarë mërzie o kanë me leshu shpinë, e m’i lanë me tokë e me krejt… Atje e kem lanë rininë”, thotë Halime Rushiti, rreth të 80-ve. Ajo ishte shpërngulur nga Medvegja në vitin 1999, me burrin dhe 4 fëmijët, si dhe me nipa e mbesa.

Atje ka lënë shtëpinë dhe rreth 20 hektarë tokë, pjesa më e madhe e së cilës ka qenë e punueshme.

E veshur me një stil tradicional dhe me shami të errët me pika të bardha, ajo po kujdesej për nipin i cili ka lindur në Kosovë. Veshja e saj është tradicionale për gratë e Luginës së Preshevës. Të tilla mund të shihen shumë në Fushë Kosovë, ku është përqendruar numri më i madh i refugjatëve nga Lugina e Preshevës.

Ata kanë ikur që nga koha kur forcat serbe, të cilat e kishin lëshuar Kosovën pas sulmeve të NATO-s, ishin vendosur nëpër fshatrat shqiptare në Luginën e Preshevës.

“Si u mbush shkolla me policë e kemi ditur që më ditë të mira nuk na presin atje. Kemi vendos me lëshu atë vend. I shitëm lopët e pajisjet bujqësore, e lamë shtëpinë…”, ndërpret për disa çaste rrëfimin e saj Halimja, e mendohet. “…Tash me pa atë shtëpi në gjynah të shtin. E kanë vjedh krejt çka ka pas në to, e mbush bari”.

Megjithëqë kanë ikur ende pa filluar konflikti në Luginën e Preshevës, thotë se kanë përjetuar maltretime të ndryshme gjatë rrugës.

“Burrin ma kanë maltretu se ai ka qenë i njohur në Medvegjë”, thotë Halimja. /Koha Ditore/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button