Shqipëri – Serbi, ja sa policë do të përkujdesën për sigurinë
Shteti shqiptarë pritet të angazhoj 1000 policë për ndeshjen e 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë
Ndeshja e 8 tetorit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë mund të rezultojë përcaktuese për fatet e Kombëtares kuqezi. Përtej rezultatit që do të prodhojë fusha dhe që u intereson të gjithëve, frika më e madhe ekziston tek ajo çfarë mund të ndodhë në shkallët e stadiumit.
Duke marrë shkas nga aktet e dhunës që ndodhën tetorin e kaluar në sfidën Serbi-Shqipëri, të cilat çuan në ndërprerjen e ndeshjes në Beograd, institucionet shqiptare kanë marrë të gjitha masat që siguria atë ditë të jetë maksimale.
Nga policia e shtetit është bërë e ditur se do të jenë të gatshme 1 mijë forca policie për atë ndeshje. Përveçse do të ketë kontrolle të imtësishme përpara dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes në stadium, janë marrë masa që të shmanget ndonjë incident i mundshëm nga pallatet përreth.
Për herë të parë në Shqipëri, ndodh që për organizimin dhe mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli të angazhohet edhe Shërbimi Informativ i Shtetit.
Drejtues të FSHF-së, trajneri Gianni De Biasi dhe vetë futbollistët kanë bërë disa herë thirrje që të mos ketë incidente të dhunshme dhe se ajo është një ndeshje futbolli ku interesi i vetëm për Kombëtaren kuqezi është rezultati që do të prodhojë fusha e lojës