Alarmante: Vazhdimisht në rritje numri i refugjatëve në Preshevë
Preshevë 23 shtator 2015
Numri i refugjatëve nga Siria, Afganistani, Iraku dhe vendeve tjera që vijnë në Preshevë, është vazhdimisht në rritje dhe, sipas informatave që Presheva.AL ka marrë nga tereni, pritet edhe më shumë.
Gjatë ditës së djeshme në Preshevë kanë kaluar rreth 5,000 refugjatë, dhe deri më tani autobusët nga Miratoci në Preshevë kanë transportuar rreth 900 burra, gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 700 prej tyre nga Miratoci për në Preshevë kanë kaluar në këmbë ose me taksi për tek qendra e pritjes në st.hekurudhor,transmeton Presheva.AL
Sipas Ali Ahmetit nga Kryqi i Kuq në Preshevë numri i refugjatëve është rritur në mënyrë drastike, dhe për refugjatët është e vështirë që të lëvizin për shkak të shiut dhe motit të ftohtë.
“Sipas informatave të mia, pritet që shumë njerëz të vijnë në Preshevë, dhe Kryqi i Kuq është i gatshëm të jetë në shërbim të tyre dhe ti ofrojë ndihmë. Sipas fuqisë punëtore dhe kapaciteteve tona ne mund të pranojmë më shumë se 10.000 refugjatë. Të gjitha ushqimet i kemi të siguruar për shtate deri në dhjetë ditë, kemi mungesë në veshëmbathje dhe këpucë, por presim që të na mbërrin edhe ato” tha Ahmeti për Presheva.AL
Në qendrën e pranimit në St.Hekurudhor aktualisht janë mbi 500 duke pritur për tu pajisur me dokumente, ndërsa në rrugët përreth dhe parkingjet dukshëm është në rritje numri i autobusëve të shkruar “Sid Kroaci”. Presheva.AL