Shulku: Kemi pasur 100 mijë kërkesa për bileta
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, ka dalë sot paradite në orën 11.00, në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në qendër të vëmendjes të saj, kanë qenë masat e marra në lidhje me organizimin e ndeshjes Shqipëri- Serbi, që do të zhvillohet më 8 tetor në “Elbasan Arena”. Ai ka informuar për punën e kryer deri më tani nga institucioni i futbollit në bashkëpunim me organizmat shtetërore, policinë e shtetit dhe shërbimet e tjera inteligjente, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë në këtë ndeshja. “Gjej rastin të theksoj, që nëpërmjet kësaj ndeshjeje, ne të tregojmë vlerat më të mira të mikpritjes shqiptare, të qytetarisë dhe vlerat europiane që ne bartim si popull”, tha sekretari Shulku. Më pas ai informoi për takimet dhe konsultat e shumta që kanë patur Presidenti Duka dhe Sekretari Shulku, me nivelet më të larta Qeverisë Shqiptare, Policisë së Shtetit dhe shërbimet e tjera për të ndërtuar një plan masash të detajuar. Gjithashtu, ai sqaroi edhe në lidhje me problemin e biletave. “Që në momentin e hedhjes së shortit veçanërisht për ndeshjen Shqipëri – Serbi ka shumë patur kërkesa për bileta. Stadiumi ka një kapacitet prej 12.700 vendesh ndërkohë që kërkesat e kanë kaluar numrin 100.000. Ne kemi shitur on-line rreth 15-20% të stadiumit. Në momentin e 4-5 orëve që janë shitur këto bileta, ka patur rreth 4000 klikime në minutë. Ne jemi munduar që të plotësojmë brenda mundësive, kërkesat e jashtëzakonshme të institucioneve, shoqatave dhe partnerëve tanë”-theksoi ai. Në lidhje me pjesëmarrjen e tifozëve serbë, Sekretari i FSHF sqaroi se në stadium do të jenë 70 studentë serbë, që vijnë në Shqipëri për një seri aktivitetesh me student shqiptarë, midis të cilave edhe për të ndjekur ndeshjen. Në fund Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku kërkoi sa më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe medias në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.