Largohen të gjithë autobusat afër qendrës për pranimin e migrantëve
Që nga dita e diel, të gjithë autobusat që parkoheshin afër qendrës për pritjen e emigrantëve janë larguar.
Dhjetra autobusë nga e tërë Serbia me muaj të tërë janë stacionuar në Preshevë për të bartë refugjatë nga Presheva, në fillim drejt Hungarisë e tani drejt Kroacisë.
Numri i tyre i madh ishte stacionuar afër qendrës për pritjen e migrantëve, duke u parkuar në vende të ndryshme, si në lokale përeth, ashtu edhe në vendet livadhet e arat që ishin aty afër.
Për këtë “shërbim”, çdo autobus ka paguar një shumë prej 100 deri 150 euro për t’u parkuar dhe pritur refugjatët nga lindja e mesme.
Që nga dita e diel, në orët e hershme të mëngjesit, nga stacioni hekurudhor janë larguar të gjitha autobusat e parkuar duke u zhvendosur në lokacion tjetër, dhe tani bartja e refugjatëve bëhet me autobusë sipas radhës.
Me këtë rast, është zvogluar edhe numri i atyre që përfitonin nga pronarët e autobusave, të cilët paguanin rreth 5 euro për çdo udhëtarë që sillej në autobusin e tij.
Së shpejti pritet edhe të lirohet rruga e cila është e bllokuar në stacionin hekurudhor, dhe veturat për të kaluar në magjistralen drejt Bujanocit apo Kumanovës duhet të ndryshojnë kahjen dhe të kalojnë rrugës për fshatin Zhunicë. /presheva.com/