MYSLIMANËT EVROPIANË MESAZH ISIS-IT: JO NË EMRIN TONË
Mijëra qytetarë të konfesionit islam kanë mbushur rrugët e Evropës për të protestuar kundër dhunës dhe sulmeve terroriste të kryera në Paris javën e kaluar.
Turmë e madhe njerëzish ka mbushur rrugët e qytetit francez Toulouse, duke u solidarizuar me viktimat e kryeqytetit, transmeton KosovaPress.
“Kjo është për të treguar se ne jemi të bashkuar kundër çdo gjëje që ndan shoqëritë – dhe se në fund ne të gjithë aspirojmë paqen”, ka thënë një pjesëmarrës, raporton “Euronews.”
“Jo në emrin tim”, ka qenë një ndër parullat dhe mesazhet në një protestë tjetër në Romë, e organizuar nga Unioni i Komunitetit Islamik në Romë.
Në një baner tjetër që shihej nëpër rrugët e qytetit, ISIS-in përshkruhet si “kancer.”
Shoqatat islamike në Itali janë deklaruar se janë të përkushtuar për të arritur paqe.
“Këto grupe terroriste vetëm sa janë duke krijuar urrejtje mes njerëzve dhe religjioneve. Religjioni nuk ka të bëj me këtë. Religjioni ynë nuk është religjion i terrorizmit e as i luftës, por është i paqes”, ka thënë presidenti i Konfederatës Islamikë, Mustafa Hajraoui.
Një ngjarje e ngjashme është organizuar edhe në rrugët e Shtokholmit nga komuniteti islam.