URIME 28 NËNTORI
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, njëherit edhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar Jonuz Musliu me rastin e 103 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ua uron gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit Kombëtar.Megjithëse rajoni i Luginës së Preshevës edhe më tej vazhdon të mbetet një vend me probleme politike rreth mosrregullimit me ligj të përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, Këshilli Kombëtar Shqipëtar kërkon që këto festa kaq të dashura për shqiptarët, të kremtohen me dinjitet dhe unitet. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo festë le të jetë një bashkim rreth simbolit tonë kombëtar, i cili na ka bashkuar në luftë dhe paqe, le të na bashkoj edhe në të ardhmen rreth realizimit të aspiratave tona kombëtare, për të cilat u angazhuan dëshmorët e të gjitha kohëve, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit Jonuz Musliu
Alternativa për Ndryshim – SHQIPRIM ARIFI
Erdhi radha që të hyjmë edhe në Shekullin e Dytë të kremtimit të festës tonë të madhe, Ditës së Flamurit. Të kremtosh 103 vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptarë është një ndjenjë e veçantë të cilën nuk e ka çdo popull i botës. Nga 1912-ta e këndej kemi kaluar nëpër sfida të shumta por si komb kemi arritur edhe shumë suksese. Para shtat vitesh sakrifica e gjeneratava të shumta rezultoi me pavarsinë e Kosovës, me ç’rast, si pak kush u bëmë me dy shtete. Edhe në aspektin e sigurisë e të përparimit demokratik nuk kemi qenë kurrë më të fortë e të avancuar, ngase kemi Shqipërinë në NATO e shumë shpejt edhe pjesë të Bashkimit Evropian. Shpresojmë se në këto institucione së shpejti do të inkuadrohemi edhe pjesa tjetër e kombit, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë. Si rezultat i këtyre integrimeve, medoemos do të përmirësohet edhe pozita jonë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Me një fjalë, jemi në prag të përmbysjes së padrejtësive që na u janë bërë në të kaluar dhe me kaq miq që kemi gjithandej globit, nuk kemi arsye pse të trembemi para ardhmërisë sonë të ndritshme. Kur i kemi parasyshë të gjithë këto premisa nuk kemi ndryshe përveç se të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Krenarinë më tepër na e shton edhe shkaba jonë dykrenarshe për të cilën u flijuan shumë gjenerata dhe me të cilën u mburrën shumë të tjera, nga Skënderbeu e deri në ditët tona. Andaj, të dashur bashkombas të komunës së Bujanocit, Luginës dhe gjithandej trojeve tona etnike , nga thellësia e zemrës ju uroj Ditën e Flamurit tonë kombëtarë ! Zoti e bekoftë flamurin tonë, Zoti i bekoftë shqiptarët!
Me rrespekt, Dr. Nagip Arifi-kryetar i komunës së Bujanocit dhe kryetar i Partisë Demokratike
Sot, çdo shqiptar e shqiptare, i madh e i vogël kudo që jetojnë në trojet e tyre autoktone apo në mërgim, me të drejtë ndjehen krenar duke përkujtuar 103 vjetorin e aktit të shpalljes së pavarësisë në Vlorë.
28 Nëntori ka qenë dhe mbetet simbol i krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptarë. Duke shënuar këtë ditë asnjëherë nuk do të harrojmë gjurmët e së kaluarës sonë.
Kjo ditë edhe një herë na mëson se si duhet sakrifikuar dhe luftuar për të drejtat tona dhe për Flamur. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të lejojnë që vlerat e brezave të kaluar të zbehen e aq më tepër të nëpërkëmben. Ne shqiptarët autokton të Luginës së Preshevës kemi fituar shumë beteja, andaj edhe këtë betejë do ta fitojmë, gjithmonë duke qëndruar të paluhatshëm nda simbolit kombëtar.
Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare Ju uroj juve dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Flamurit Kombëtar.
Dr.Sc.Ragmi Mustafa, Kryetar i PDSH-së, dhe i Komunës së Preshevës
“Te nderuar qytetare, motra dhe vllezër, më lejonin që nemër të aderuesve të Bashkimit Demokratik të Luginës dhe nemrin tim personal tju uroj gjithë shqiptarëve në Luginë tëPreshevës,si dhe në çdo pjesë të truallit etnik, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malsi e Çamëri si dhe në mërgim 28 Nëntorin ditën e Flamurit Kombëtar..” thuhet ne ujrimin e Kryetari i BDL-së Dr. Skender Destani drejtuar qytetarëve te Luginës me rastin e ketij pervjetor gjithkombëtar,transmeton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë
Dr.Destani në vazhdim Uron që festat e ardshme ti festojmë të bashkuar e pa kufi në familjen evropjane të cilës i takojmë.!
GËZUAR, GËZUAR,GËZUAR……!
Në lokalet e selisë së së PVD – së në Preshevë për festën e flamurit u organizua një koktej për veprimtarët e PVD – së.
Në këtë atmosferë solemne të pranishmëve festën kombëtare ia uroi kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, me ç’rast ai potencoi se kjo festë tradicionalisht është frymëzim madhorë për të gjithë Shqiptarët kudo që gjenden ata.
Ky frymëzim shpirtërorë posaçërisht është i rëndësishëm për Shqiptarët në Luginë të Preshevës, të cilët po vazhdojnë të ballafaqohen me sfida ekzistenciale.
Gjithashtu porosia madhore e kësaj feste për domosdoshmërinë e unitetit kombëtarë është mëse aktuale për spektrin politik të Shqiptarëve në këtë rajon.
Andaj edhe uroj që inspirimi që rrjedh nga kjo atmosferë festive të ndikoj në ngritjen e unitetit në veprim të subjekteve politike shqiptare së paku për zgjidhjen e çështjeve madhore të popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës.
Njëkohësisht uroj që të gjithë Shqiptarët të festojnë në atmosferë solemne ditën e flamurit.